Aeroporti Hitrou i “bllokuar” për shkak të fluturimeve të anuluara drejt Evropës (video)

TË FUNDIT

Mijëra pasagjerë mbetën të bllokuar në Aeroportin Hitrou pasi një numër vendesh evropiane e ndërprenë trafikun ajror me Britaninë për shkak të shfaqjes së një lloji të ri të koronavirusit në këtë vend.

Ndalesë për udhëtime mund të vendosë i gjithë Bashkimi Evropian, ndërsa konsultimet janë duke u zhvilluar për një përgjigje të përbashkët ndaj lidhjeve detare, hekurudhore dhe rrugore me Britaninë e Madhe. Paraprakisht dje në këtë temë biseduan, presidenti francez Emanuel Makron, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen.

Franca që nga mesnata i ka ndërprerë të gjitha udhëtimet nga Britania e Madhe, përfshirë transportin e mallrave përmes rrugëve, aeroplanit, detit ose hekurudhës.

Edhe Irlanda i ndërpreu të gjitha lidhjet ajrore për të paktën 48 orë. Lidhjet detare vazhdojnë, ndërsa vendimi do të rishikohet nesër.

Deri më tani lidhjet e trafikut i ndërprenë Gjermania, Austria, Italia, Holanda, Belgjika dhe Bullgaria.

Hitrou e Londrës është plotë me mijëra pasagjerë, të cilët nuk mund të udhëtojnë për shkak të këtyre suspendimeve në trafikun ajror.

Në Britaninë e Madhe që nga sot janë mbyllur të gjitha dyqanet që nuk shesin ushqime dhe gjëra themelore. Gjithashtu, është ndaluar udhëtimi jashtë këtyre zonave, qoftë në pjesë të tjera të Britanisë së Madhe ose jashtë saj. Baret, restorantet dhe muzetë në Britaninë e Madhe janë mbyllur që nga e mërkura.

Ekzistojnë kufizime të shkallës së katërt që do të rishikohen brenda dhjetë ditësh.

Kjo do të thotë që qytetarët nuk lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre nëse punojnë nga shtëpia. Qeveria rekomandon qytetarët të udhëtojnë vetëm nëse është absolutisht e nevojshme, ta zvogëlojnë lëvizjen në minimum dhe të shkojnë në këmbë ose me biçikletë kur është e mundur.