NË MAQEDONI JETOHET GJITHNJË E MË VËSHTIRË, GJYSMË MILION QYTETARË JANË TË VARFËR

445
0
SHPËRNDAJE

 

Çdo i katërti qytetar i Maqedonisë jeton në varfëri apo më saktë, 445 mijë qytetarë mezi ia dalin ta kalojnë muajin sepse u duhet të mbijetojnë me vetëm 100 euro. Problematik është fakti se përveç tek të papunësuarit dhe punëtorët sezonal, varfëria thellohet edhe tek personat që janë në marrëdhënie të rregullt pune. Në kategorinë e familjeve, më të varfër janë ato familje që kanë nga 3 apo 4 fëmijë. Institucionet kompetente dyshojnë se numri i të varfërve është shumë më i lartë nga numri që e publikojnë institucionet zyrtare.

“Mënjanimi i shpenzimeve dhe llogaritja vetëm e të ardhurave është gjë problematike sepse edhe ata që kanë të ardhura më të larta, por edhe ata me të ardhura më të ulëta, jo gjithnjë realisht e deklarojnë lartësinë e të ardhurave. Për këtë arsye, nevojitet kombinim i këtyre dy qasjeve”, tha Maja Gerovska, profesoreshë universitare.

Rritja e pagës minimale as do ta çrrënjosë por as do ta ulë shkallën e varfërisë në vend, thonë ekspertët. Nevojiten edhe masa të tjera sociale si p.sh. mbështetja financiare dhe lehtësimi i shpenzimeve për arsim dhe për shëndetësi. Këto masa u propozuan deri te Ministria për Punë dhe Politikë Sociale. Megjithatë, nga sektori joqeveritare konsiderojnë se qytetarët që gjenden në rrezik social, duhet ta ngrenë zërin e tyre kundër padrejtësive.

“Përderisa nuk i inkurajojmë njerëzit të ngrihen dhe në emër të tyre të flasin për problemet me të cilat ballafaqohen, deri atëherë, politikat do të mund t’i krijojë ndokush që është më i zëshëm sesa këta. Më së shumti, ndihmën nuk e marrin pikërisht ata që janë më të pafuqishëm dhe më të rrezikuar”, tha Biljana Dukovska, platforma kundër varfërisë.

Nga ministria përkatëse pranojnë se problemi i varfërisë është mjaft serioz. Ata shprehen se do t’i shqyrtojnë propozimet e sektorit joqeveritar, por konsiderojnë se edhe lartësia e kompensimeve që shteti ua ndan kategorive të rrezikuara dhe rritja e pagave, duhet të ndryshojë në përputhje me rritjen e shpenzimeve të jetesës.

“Ne angazhohemi se do t’i shqyrtojmë të gjitha gabimet që janë bërë në bazë të të drejtave të tyre. Kemi të dhëna sesi një person ka shfrytëzuar nga dy të drejta. Gjërat duhet t’i përmirësojmë si dhe të shohim se a ka nevojë për rritje të mjeteve financiare”, u shpreh Elmi Aziri, Zv/Ministër për Punë dhe Politikë Sociale.

E dhëna e fundit për shkallën e varfërisë në vend e publikuar nga Enti Shtetëror për Statistikë është 21.5%. Përndryshe, dita e sotme 17 tetori është shpallur si Dita ndërkombëtare për luftimin e varfërisë. Në disa vende në Shkup është organizuar ndarja e ushqimit për ato që më së shumti kanë nevojë.

Përgatiti: Ile Petrevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU