OBSH: Nuk ka asnjë provë që varianti i ri i korona virusit sillet ndryshe

TË FUNDIT

Organizata Botërore e Shëndetësisë sot kumtoi se është e njohur me variantin e ri të koronavirusit, i cili u shfaq në Britaninë e Madhe, por që nuk ka asnjë provë se ky lloj sillet ndryshe nga llojet ekzistuese të virusit.

“Ne jemi të vetëdijshëm për këtë variant gjenetik, i cili është raportuar tek 1.000 njerëz në Angli”, tha drejtori i programit të OBSH-së për situata të jashtëzakonshme, Majk Rajan, në konferencë për shtyp në Gjenevë. Ai shtoi se personat zyrtarë po e shqyrtojnë rëndësinë e tij.

“Ne kemi parë shumë variante, ky virus po zhvillohet dhe po ndryshon me kalimin e kohës”, tha Rajan.

Paraprakisht Ministri britanik i Shëndetësisë Met Henkok deklaroi se është identifikuar variant i ri i virusit korona. Sipas tij, kjo mund ta sqarojë kërcimin në rastet në jug të Anglisë, njoftoi “Guardian”.

Analiza fillestare sugjeroi se ky variant zhvillohet më shpejtë se variantet ekzistuese.

“Për momentin identifikojmë më shumë se 1.000 raste me këtë variant, kryesisht në pjesën jugore të Anglisë, edhe pse janë identifikuar raste të tilla në afërsisht 60 rajone të ndryshme lokale dhe numri rritet shumë shpejtë”, tha ai.

Henkok tha se është njoftuar Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ai edhe theksoi se ekspertët shëndetësorë vlerësojnë se është “shumë e pabesueshme” se vaksina nuk do të funksionojë në variantin e ri, por shtoi se po bëhen teste shtesë që të konfirmohet rezistenca eventuale.