JUGOHROM MBETET I MBYLLUR, FURRAT DO TË NDIZEN PAS VENDOSJES SË FILTRAVE

421
0
SHPËRNDAJE

Tre ditë para zgjedhjeve lokale, Qeveria dhe Jugohromi nënshkruan marrëveshje që në oxhaqet e fabrikës në Tetovë më në fund të vendosen filtra. Çështja e “Jugohrom-it” e prek rajonin e Pollogut, qytetarët, të punësuarit e fabrikës, kryesinë dhe pronarët, andaj hapet pyetja se a ka mundur që kjo marrëveshje të shtyhet deri të hënën. Në programet zgjedhore, të gjithë kandidatët kërkojnë zgjidhje për kombinatin metalurgjik, përkatësisht për ndotjen e ajrit në Tetovë dhe rajon.

“Jugohromi do të hapet kur të vendosen filtrat dhe kur të sigurohen të gjitha kushtet që ky kombinat të mos e ndot ajrin në Tetovë dhe në rajonin e pollogut”, tha Koço Angjushev, zv/kryeministër për ekonomi.

Jugohrom nuk do të punoj as një ditë të vetme pa filtra, garantojnë nga kjo kompani. Sistemi që nevojitet të vendoset në këtë kombinat kushton 12 milion euro.

“Nëse gjithçka shkon me dinamikën e paraparë, kjo do të thotë se deri në fund të majit apo deri në fillim të qershorit, Jugohromi do të jetë i gatshëm për t′i ndezë furrat 7 dhe 8”, tha Vasko Skenderovski, Drejtues i Jugohromit.

Nga sindikata e kompanisë presin që sa më shpejtë të punësuarit të kthehen në punë sepse ata janë pa punë thuajse tërë vitin. Sindikalistët kërkuan nga Qeveria të bëjë presion që pronari i Jugohromit sa më shpejtë ta fillojë procedurën për vendosjen e filtrave. Nga kjo fabrikë varet ekzistenca e më shumë se 700 familjeve.

“Presionet tona drejt institucioneve kanë filluar që nga fikja e furrave dhe vazhdojnë edhe më tej. Të gjendet ndonjë mirëkuptim për zgjidhjen e problemit të Jugohromit”, tha Kryetari i sindikatës së Jugohromit, Bajram Aliti.

TV21 kërkoi qëndrim edhe nga organizata joqeveritare Eko Guerilla, e cila më së shumti e kritikonte punën e Jugohromit. Ata e porositën Qeverinë që ta publikojë marrëveshjen që e kanë nënshkruar me kombinatin, duke kërkuar garanci se fabrika nuk do të punojë pa filtra.

“Kishin shumë afate kohore dhe asnjë prej tyre nuk respektuan , nuk respektuan as ligjet dhe Kushtetutën e RM-së si dhe shëndetin e tetovarëve. Drejtoria e Jugohromit një herë e përgjithmonë duhet të kuptoj se fitimi i tyre do të thotë sëmundje dhe vdekje për tetovarët, andaj nuk do tu lejojmë që të na helmojnë edhe më tej”, nga Eko Guerilla.

Disa herë, Jugohromi nuk e ka respektuar afatin për vendosjen e filtrave me ç ′rast rrezikuan që ta humbin lejen për punë. Nga udhëheqësja arsyetohen se fajtorë është Qeveria e mëparshme për shkak se procesi ka ngecur në procedurën e gjatë burokratike.

Përgatiti: Ile Petrevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU