HOTELIERËT KËRKOJNË STRATEGJI KOMBËTARE, VETËM 20% E TË PUNËSUARVE JANË NË MARRËDHËNIE TË RREGULLT PUNE

426
0
SHPËRNDAJE

 

Pronarët e restoranteve, hoteleve dhe kafeneve, e ngritën zërin. Kërkojnë nga qeveria të hartohet një strategji kombëtare për sektorin e tyre. Ka vite që ankohen, por askush nuk reagon ndaj kërkesave të  tyre. Tani shprehen se kanë formuar një shoqatë të re. Të dhënat e tyre flasin se një pjesë e hotelierëve në mënyrë alarmante e shfrytëzojnë mundin e punëtorëve. Vetëm 20% prej tyre, janë të paraqitur në mënyrë të rregullt dhe kanë sigurim pensional dhe shëndetësor. Ata kërkuan edhe ndryshimin e orarit të punës, gjegjësisht, restorantet dhe kafenetë të punojnë çdo ditë deri në orën 1 pas mesnate.

“Me orar të plotë pune janë regjistruar pothuajse 150 mijë punëtorë. Krahas presionit nga dënimet që shpeshherë arrijnë në dhjetëra mijëra euro, ne ballafaqohemi edhe me tatime tejet të larta që nuk janë në hap me realitetin në këtë sektor të biznesit”, u shpreh Ilija Argirovski, nga Shoqata e Hotelierëve “Horekashi”.

Hotelierët u ankuan edhe për marrëdhënien selektive të inspektorëve, por edhe për dënimet e larta që i marrin rregullisht, edhe pse nuk kanë shkelur asnjë ligj. Thonë se gjithnjë kur ka mungesë të parave në arkën shtetërore, pikërisht restorantet dhe kafenetë janë të parat që goditen. Problem tjetër është edhe mungesa e kuadrit të kualifikuar në këtë sektor.

“Të ulemi dhe të bëjmë një analizë të plotë ekonomike nga të gjitha sferat. Të flasim për TVSH-në, për orarin e punës, për dënimet, sepse këto janë të lidhura njëra me tjetrën dhe ka shumë gjëra të palogjikshme. Ne nuk jemi kuadër. Ata vijnë dhe shkojnë. Investojmë tek ata që nuk dinë të mbajnë as tabak apo të të sjellin një gotë”, tha Johan Ellzeser, nga Shoqata e Hotelierëve “Horekashi”.

Shoqata e sapoformuar e hotelierëve “Horekashi” kërkesat e saj do t’ua dorëzojë ministrive përkatëse nga të cilat pret përgjigje pozitive, sepse siç thonë, prej punës së tyre ekzistojnë me mijëra qytetarë. Në rast se gjërat përmirësohen, ata premtojnë edhe rritje të pagave për punëtorët e këtij sektori. Njohësit e kësaj çështjeje thonë se në sektorin e hotelerisë dhe të restoranteve nevojitet më shumë bashkëpunim ndërmjet institucioneve arsimore dhe sektorit privat, si dhe më shumë punë praktike për trajnimin profesional të kuadrit të ardhshëm që do të punojnë në këtë sektor.

Përgatiti: Ile Petrevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU