PANAIRI I FRANKFURTIT, MACRON E MERKEL BËJNË APEL PËR UNITET

523
0
SHPËRNDAJE

Në hapje të Panairit të Librit në Frankfurt, Emmanuel Macron dhe Angela Merkel premtuan se do të nxisin këmbimet kulturore dhe unitetin europian.

“Sa më e varfër do të ishte Gjermania, pa ndikimin e kulturës franceze, dhe sa më e varfër do të ishte Franca, pa gjermanët?” Kancelarja gjermane Angela Merkel e shtroi këtë pyetje në hapje të Panairit të Librit në Frankfurt, të martën në mbrëmje.

Ajo u bëri jehonë fjalëve të mëhershme të presidentit francez, Emmanuel Macron, që tha se “identiteti i gjuhës jeton përmes konfrontimit me gjuhë të tjera”.

Franca është këtë vit e ftuara e nderit në Panairin e Librit të Frankfurtit, më i madhi në botë. Merkel theksoi më tej rëndësinë e bashkëpunimit gjermano-francez për Europën, duke theksuar solidaritetin dhe miqësinë midis dy vendeve, që forcohet edhe përmes letërsisë.

Në fjalën e tij, presidenti francez Emmanuel Macron kundërshtoi populizmin në rritje dhe nacionalizmin në Europë, e foli për fuqinë bashkuese të letërsisë.

Duke theksuar rëndësinë e fjalës së shtypur, Macron dhe Merkel shtypën faqen e parë të “Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut”, me një shtypshkronjë replikë të Gutenbergut, që u shpik rreth 600 vite më parë në Mainz, pranë Frankfurtit.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU