PACOLLI THA SE PROBLEMI I VIZAVE DUHET TË ZGJIDHET

520
0
SHPËRNDAJE

”Demarkacioni nuk është problem mes nesh dhe as nuk duhet të jetë një problem evropian”

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se demarkacioni nuk duhet të jetë problem evropian dhe se ai duhet të hiqet si kusht për liberalizimin e vizave.

Ai këto komente i bëri gjatë ministerialit të Grupit të Vishegradit, ku morën pjesë shefat e diplomacisë së Hungarisë, Polonisë, Çekisë, Sllovakisë, vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të Rumanisë, Kroacisë, Estonisë dhe Bullgarisë.

Duke iu referuar ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiç, i cili u ankua pse në procesin e integrimit të Serbisë, duhet konsideruar dhe „gjykimi i Prishtinës, për ecurinë në këtë proces“, Pacolli  tha se Kosova është shtet sovran.

“Ju në fjalën tuaj ju referuat librit „Ura e Drinit“ të Ivo Andriçit. E kam  lexuar disa herë. Ne duhet të ndërtojmë urën midis Serbisë dhe Kosovës në shërbim të brezit tonë të ri, dhe Kosova është e angazhuar për këtë, por ne nuk mund t’i krijojmë pengesa njeri tjetrit, dhe as të mohojmë faktet. Ne në Kosovë jetojmë shumë mirë mes nesh pa krijuar probleme me pakicat, ndonëse jemi njerëz dhe mund të përballemi me çështje të caktuara. Ne duhet të lëmë mënjanë çdo provokim dhe të ndërtojmë të ardhmen si shtete të pavarur në rajon”, ka thënë Pacolli.

Ai ka vlerësuar të shkëlqyera marrëdhëniet me Malin e Zi, pavarësisht problemit të demarkacionit.

“Demarkacioni nuk është problem mes nesh dhe as nuk duhet të jetë një problem evropian. Ai, duhet të hiqet si kusht për liberalizimin e vizave. Ju e dini se Gjeorgjia dhe Ukraina kanë probleme me kufijtë, por atyre u është njohur liberalizimi i vizave”, tha shefi i diplomacisë kosovare.

Pacolli theksoi se problemi i vizave duhet të zgjidhet, pasi që Kosova nuk mund të vazhdojë të mbetet vend i izoluar.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU