ZJARRET NË KALIFORNI, 180 TË ZHDUKUR E 17 TË VDEKUR

489
0
SHPËRNDAJE

Më shumë se 180 persona rezultojnë të zhdukur pas ferrit të zjarreve që ka shkrumbuar pjesë të mëdha të rajonit verior të prodhimit të verës në Kaliforni.

Të paktën 17 persona konfirmohen të vdekur, me dhjetëra janë të lënduarit e mbi 1.500 banesat e shkatërruara nga flakët, që shpërthyen të dielën. Shpresat tani janë që të humburit të mos i shtohen listës së viktimave, por të jenë thjesht pasojë e ritmit kaotik të evakuimit.

“Kur po i drejtohesha shtëpisë pashë tymin që ngrihej. Hymë brenda e nisëm të bënim gati me shpejtësi gjërat më të domosdoshme. Brenda 15 minutash, flakët kishin mbërritur në banesën e fqinjit. I lamë rrobat dhe dolëm me vrap”, tha një banore e zonës.

“U bë e disata herë që përballemi me situata të tilla. Po mendojmë të shesim çdo gjë e të shpërngulemi diku tjetër”, tha më tej qytetarja.

Një prej qyteteve më të prekura është Santa Rosa, ku lagje të tëra janë rrafshuar me tokën. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 17 zjarre – sipas zyrtarëve vendas, – kanë djegur 26 mijë hektarë tokë e po vazhdojnë përhapjen, të ndihmuara nga moti i nxehtë e i thatë dhe erërat e forta.

Zjarrfikësit janë përpjekur t’i frenojnë, por flakët lëvizin shumë shpejt, duke mos u lënë në disa raste asnjë mundësi për të ndërhyre. Në këtë moment, autoriteteve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të përdorin mjetet nga ajri.

Guvernatori i Kalifornisë u deturua të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për zonat e goditura, duke mundësuar kështu lëvrimin e fondeve emergjente, që do të përdoren për mbështetjen e qendrave të përkohshme të strehimit dhe përpjekjeve për të luftuar zjarret.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU