Efikasiteti i vaksinës kineze të “Sinofarm” është 86 për qind

TË FUNDIT

Vaksina eksperimentale e grupit kombëtar kinez farmaceutik “Sinofarm” ka një efikasitet prej 86 për qind, kumtoi sot Ministria e Shëndetësisë e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), duke iu referuar rezultateve të fazës së fundit të testimit.

Emiratet që në korrik e filluan fazën e tretë të testimit klinik të vaksinës, të zhvilluar nga Instituti për produkte biologjike në Pekin që punon si pjesë e “Sinofarm”, transmetojnë mediat britanike.

Analiza tregon se vaksina është 100 për qind efektive në parandalimin e rasteve të moderuara dhe serioze të sëmundjes dhe nuk ka probleme serioze të sigurisë, thekson ministria e Shëndetësisë e EBA-së.

Ministria shtoi se vaksina është regjistruar zyrtarisht, por nuk dha detaje të tjera. Në testimin në Emiratet e Bashkuara Arabe morën pjesë 31,000 vullnetarë nga 125 kombësi të ndryshme.