OPOZITA SULMON – PUSHTETI MBROHET, INDUSTRIA KA RËNIE, BIZNESMENËT NUK SHQETËSOHEN

196
0
SHPËRNDAJE

 

Rezultatet e vazhdueshme negative të ekonomisë së Maqedonisë në muajt e fundit shtron dilemën për atë se çfarë klime të biznesit mbizotëron në vend pas ndryshimit të pushtetit. Kriza politike dhe periudha e pasigurisë pritej që të përfundoj pas zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën në dhjetor dhe pritej që më në fund ekonomia e vendit të funksionoj në mënyrë normale. Por që atëherë, 6 – 7 muajt e fundit ekonomia nuk ka ndonjë progres. Rezultati i fundit negativ ndikoi në prodhimin industrial i cili në nivel vjetor është në minus 5%. Tek biznesmenët tani për tani nuk ka shqetësim, por nga Oda ekonomike, thonë se goditje më të madhe ka industria e përpunimit, sektori i cili përfshin rreth 83% të prodhimit industrial.

“Kriza dhe trendi negativ që ndikoi gjatë vitit la dhe pasoja. Kompanitë janë optimiste se gjatë periudhës së ardhshme kjo gjendje do të përmirësohet dhe në të ardhmen do të kemi trend pozitiv në ekonomi”, tha Jadranka Arizankova, nga Oda Ekonomike.

Fajin për rezultatet e tilla negative në ekonominë e vendit, opozita e sheh në, siç thonë ata, qeverinë e paaftë të udhëhequr nga Zoran Zaevi. Ekonomia e Maqedonisë po fundoset, ndërsa prodhimi industrial është në një rënie të lirë, pikërisht pas ndryshimit të Qeverisë, akuzojnë nga VMRO-DPMNE-ja.

“Me politikën e keqe ekonomike dhe paralajmërimet për rritjen e tatimeve, Maqedonia mund vetëm të ëndërroj për investitorë të huaj. Kapacitetet ekzistuese po mbyllen ose kërkohet ndonjë mënyrë kriminele që të shkatërrohen e pastaj të përvetësohen nga familja Zaev”, tha Hristijan Dellev, nga VMRO-DPMNE.

Kërkuam qëndrim nga Qeveria në lidhje me atë se ku e identifikojnë problemin për trendin negativ në ekonomi, mirëpo nuk  morëm asnjë përgjigje. Edhe krahas parametrave negativ në ekonomi, kryeministri Zaev nuk heq dorë nga rritja e paralajmëruar e BPV-së prej 5 % në katër vitet e ardhshme.

“Ambicia jonë ende mbetet që të kemi rritje prej 5% të BPV-së në katër vitet e ardhshme, të cilët dëshirojmë t′i realizojmë gjatë këtij mandati. Thamë se prioriteti ynë është rritja dhe zhvillimi ekonomik në sektorin privat. Shteti do të bëjë investime kapitale, andaj të gjitha resurset  do t′i orientojmë në këtë drejtim”, u shpreh Zoran Zaev,  Kryeministri i R. Maqedonisë.

Gjatë 6 muajve të fundit, institucionet shtetërore publikojnë raporte negative për më shumë sfera të ekonomisë së vendit. Në kohë kur të gjithë prisnin ripërtëritje të ekonomisë, po zvogëlohet vlera e përgjithshme e importit. Sipas statistikave, industria shënon rënie, kemi më pak investime të huaja por edhe ulje të BPV-së. Nga qeveria, dolën me plan dhe masa për rritje ekonomike. Shoqëria e biznesit ka mundësi që në debatet publike të shqyrtoj dhe të propozoj ndryshime, e më pas të jap dritë jeshile për miratimin e këtij plani të qeverisë.

Përgatiti: Ile Petrevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU