7.500 DENARË NË MUAJ PËR TË FALIMENTUARIT, 400 PERSONA NUK I PLOTËSOJNË KUSHTET

321
0
SHPËRNDAJE

Të falimentuarit filluan të dorëzojnë kërkesat e tyre për të marrë kompensim nga shteti.  Ky person tashmë 15 vite me radhë vjen këtu për tu paraqitur si i papunësuar duke u përpjekur të gjejë punë, por nuk ka fat. Tani thotë se me këtë kompensim nga shteti, do të mund të paguaj një pjesë të faturave të papaguara.

“Unë jam pa punë për një kohë të gjatë, rreth 15-20 vjet. Kam punuar gjithsej 15 vite. Firma ku kam punuar falimentoi. “NOV DOM” ishte emri i firmës në Gjorçe Petrov, bëhet fjalë për një firmë ndërtimore nga Makedonski Brod”, tha një punëtor i falimentuar.

300 ose 400 punëtorë të falimentuar nuk i plotësojnë kushtet e parapara me këtë ligj dhe rrezikojnë që të mos marrin kompensim nga shteti. Bëhet fjalë për punëtorë të cilët kanë punuar gjatë viteve të 90-ta në firma që janë privatizuar, ndërsa në atë kohë punëtorët nuk kishin stazh 15 vjeçar. Liljana Georgievska e cila i përfaqëson të falimentuarit beson se qeveria do ti dëgjojë kërkesat e këtyre njerëzve.

Nuk e plotësojnë kushtin e kufirit të moshës, nuk kanë punuar 15 vite në firmë shtetërore, ky është problemi më i madh. E dimë tranzicionin e viteve të 90-ta. Shoqata nuk heq dorë nga këta njerëz duke kërkuar ndryshime të këtij ligji. Kështu që do të kujdesemi për të gjithë ata”, u shpreh Liljana Georgievska, nga Shoqata e të Falimentuarve.

Aktualisht 814 punëtorë kanë dorëzuar kërkesë për kompensim në përputhje me ligjin për dëmshpërblim të punëtorëve. Kërkesat janë dorëzuar në mënyrë elektronike. Afati për dorëzimin e tyre është një vit, ndërsa pagesa e parë e kompensimit pritet të fillojë në muajin e ardhshëm.

“Nuk nevojitet që stazhi të jetë i paguar. Mjafton të ketë marrëveshje për punë. Si provë duhet të dorëzojë formularët M1 dhe M2”, tha Biljana Jovanovska – Zv/Drejtor i APRM-së.

Me ligjin për të falimentuarit do të përfshihen rreth 3.500 persona. Ata do të marrin nga 7.500 denarë në muaj ose 34% nga shuma e pagës neto në vend. Ligji do të vlejë për burrat mbi moshën 55 vjeçare, dhe për gratë mbi moshën 52 vjeçare, të cilët kanë punuar 15 vjet në kompani shtetërore, ndërsa angazhimi u është ndërprerë për shkak të falimentimit, likuidimit ose tepricës teknologjike, deri më 15 qershor të këtij viti. Vite të tëra  këta njerëz kanë protestuar para qeverisë dhe kuvendit për zgjidhjen e problemit të tyre shumëvjeçar. Para tre viteve, numri i të falimentuarve ishte mbi 6 mijë persona, ndërsa më shumë se 2500 persona ndërruan jetën duke pritur zgjidhjen e këtij problemi.

Përgatiti Ile Petrevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU