445 MIJË QYTETARË USHQEHEN NJË HERË NË DITË, USHQIMI DREJT SKADIMIT DO TË NDAHET PËR NEVOJTARËT

287
0
SHPËRNDAJE

Ushqimi i cili është në prag të skadimit të afatit të përdorimit, në vend se të përfundojë në kontejner, do të shpërndahet për personat në nevojë. Kjo është kërkesa e sektorit joqeveritar, të cilët, në bashkëpunim me Agjencinë për ushqim po përgatisin edhe një zgjidhje ligjore. Kompanitë të cilat do të donojnë ushqim me afat të shkurtër të përdorimit, do të lirohen nga disa tatime ndaj shtetit. Ndërkohë, në deponitë  e vendit, në nivel vjetor hidhet ushqim në vlerë prej 10 milion eurove, sasi kjo që mjafton për thuajse gjysmë milionë qytetarë të uritur.

Sektori joqeveritar ka filluar aksion për t’i ndihmuar personat e uritur në vend. Në partneritet me disa kompani, ata propozojnë që ushqimi nëpër markete dhe qendra prodhuese, në vend se të përfundojë nëpër deponi, t’u jepet personave që kanë nevojë për të. Në fazën e përgatitjes është një propozim-ligj i cili do të dorëzohet tek organet kompetente me qëllim që të ulet numri i personave të uritur në vend, e me këtë të ulet edhe shkalla e varfërisë. Organizatat joqeveritare propozojnë që kompanitë që do të dhurojnë ushqim me afat të shkurtër të përdorimit, të lirohen nga disa obligime tatimore.

“Mund të shohim se në Maqedoni janë të varfër edhe të punësuarit edhe pensionistët dhe normalisht të papunësuarit, për shkak se siç tha një gjyshe, pasi që t’i blejnë  ilaçet dhe t’i paguajnë faturat, nuk mbetet asgjë për ushqim. Mund të shohim njerëz të cilët marrin ushqim për një person që ne e donojmë ndërsa në shtëpi, ushqimin e ndan me tre – katër anëtarë të familjes”, u shpreh Bllazhe Josifovski, nga “Eja Maqedoni”.

Në Maqedoni, në nivel vjetor, në deponi përfundon ushqim në vlerë prej 10 milion eurove, ushqim i cili lirisht mund të konsumohet. Ky ushqim sipas vlerësimeve, është i mjaftueshëm për t’u ushqyer 13 mijë persona tre herë në ditë për 1 vjet. Sipas hulumtimeve, sasi më të madhe të ushqimit hedhin amvisëritë, pasojnë objektet hotelierike e më pas marketet.

“Ishim të befasuar kur dëgjuam, se si me vetë iniciativë dhe në mënyrë të ndërgjegjshme dhe me përgjegjshmëri, disa udhëheqës të kompanive donojnë ushqim. Është zonë gri, ku pa e ditur askush, pa treguar, pa detyrim ligjor, thjeshtë e dhurojnë ushqimin. Me të vërtet isha i befasuar, ata ishin kooperativë, para se gjithash tregtarët rreth këtij ligji”, tha Vasko Ristovski, nga Oda Ekonomike.

Sipas hulumtimeve të fundit, në Maqedoni, 445 mijë qytetarë mund t’ia  lejojnë vetes vetëm një vakt në ditë, ndërsa iniciatorët presin që ky propozim ligj të jetë gati deri në fillim të vitit të ardhshëm. Ligje dhe iniciativa të ngjashme ka në shumë vende evropiane. Në Francë, për shembull, hedhja dhe shkatërrimi i ushqimeve prej supermarketeve është e ndaluar me ligj.

Përgatiti: Ile Petrevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU