Sunak i bindur në arritjen e një marrëveshjeje tregtare midis Britanisë së Madhe dhe BE-së

TË FUNDIT

Ministri britanik i Financave, Rishi Sunak sot deklaroi se është i sigurt dhe shpreson që do të arrihet një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian, duke shtuar se forma e marrëveshjes është shumë e qartë.

“Shumë gjëra janë duke u bërë dhe mendoj se me një qëndrim konstruktiv dhe vullnet të mirë nga të gjitha palët mund ta arrijmë qëllimin. Është e njohur se si duket forma e marrëveshjes”, tha Sunak për televizionin Skaj.

Mediat britanike transmetojnë se vetëm pesë javë përpara se Britania e Madhe të largohet përfundimisht nga orbita e BE-së, të dy palët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje tregtare që do ta shmangte finalen kaotike të krizës pesëvjeçare të Bregzitit.

“Shpresoj se BE do të shohë që gjërat që ne po i kërkojmë janë kryesisht ato që tashmë ekzistojnë në marrëveshjet e tyre me vendet e tjera. Ekipet po punojnë shumë”, tha Sunak.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lajen, sot megjithatë deklaroi se Unioni është i gatshëm për mundësinë e largimit të Britanisë së Madhe pa një marrëveshje të re tregtare edhe krahas “përparimit të vërtetë” në bisedimet e trazuara të Bregziti.

Një përfaqësues zyrtar i përfshirë në negociatat kumtoi se është e mundur një marrëveshje, por që me shumë gjasa nuk do të jetë para fundjavës, ndërsa një tjetër diplomat i BE-së vlerësoi se marrëveshja mund të arrihet javën e ardhshme, transmetojnë mediat britanike.