ZHERNOVSKI TËRHIQET NGA QENDRA, KALON NË LSDM DHE MERR FUNKSION TË LARTË SHTETËROR

756
0
SHPËRNDAJE

Kryetari aktual i Komunës Qendër Andrej Zhernovski po tërhiqet nga gara për zgjedhjet lokale për të kaluar në një funksion të lartë në pushtetin qendror. Zhernovski këtë informacion e publikoi në profilin e tij në Facebook, ku mes tjerash shkruan se në marrëveshje me kryeministrin Zoran Zaev, ai vendosi të bëhet edhe pjesë e LSDM-së. Në postimin e tij, Zhernovski iu falënderua të gjithë banorëve të komunës për mbështetjen e ofruar ndaj tij në katër vitet e kaluara.

“Këto ishin katër vitet më të rënda, por njëkohësisht edhe më të bukurat e jetës sime ku përjetova dhe mësova shumëçka. Në kohë tejet të vështira, plot me shantazhe dhe kërcënime, ia dolëm të bëjmë shumë për komunën por edhe për rrëzimin e regjimit të Nikolla Gruevskit. Përkundër të gjitha trysnive, sulmeve dhe obstruksioneve, i ekspozuam të gjitha abuzimet e VMRO-DPMNE-së në Komunën Qendër, por edhe realizuam 230 projekte në interes të qytetarëve”, tha Andrej Zhernovski, Kryetar i Komunës Qendër.

Tërheqjen e Zhernovskit nga pozita e kryetarit të Komunës Qendër dhe vendimin për të mos garuar për një mandat të ri e paralajmëroi edhe kryeministri Zaev në intervistën e tij të djeshme në TV24.

“Ai do të marrë pjesë në pushtetin qendror, do ta tërheq kandidaturën e tij të pavarur dhe do të qëndrojë pas kandidatit për të cilin do të vendosin organet dhe trupat e LSDM-së së bashku me partnerët e koalicionit. Me këtë, perspektiva e tij do të jetë në organet politike të partisë dhe me gjasë do të jetë një nga anëtarët e ri të Këshillit Qendror. Po ju flas në mënyrë transparente për marrëveshjet që i arritëm”, u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër i RM.

Burime nga LSDM për TV21 thonë se me shumë gjasa, kandidati i cili do të garojë në Komunën Qendër është drejtori aktual i parkingjeve Sasha Bogdanoviq. Përndryshe, informacionet e fundit flasin se zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 15 tetor, do të mbikëqyren nga 300 mbikëqyrës afatshkurtër dhe 20 mbikëqyrës afatgjatë të OSBE-së.

“Misioni ynë do të publikojë një raport periodik para zgjedhjeve, ndërsa një ditë pas zgjedhjeve, do të mbajë edhe preskonferencë në të cilën do të prononcohet për përfundimet dhe konkluzionet preliminare”, tha Odri Glover, Shef i misionit të OSBE/ODIHR në Shkup.

Sipas informacioneve, akoma po diskutohet edhe për listat e këshilltarëve me të cilat do të garojë LSDM, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e tyre deri te Komisioni Shtetëror Zgjedhor skadon nesër në mesnatë.

Përgatiti: Antonio Krstevski


S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU