225 MILIONË EURO PËR INVESTITORËT E HUAJ, NJË VEND PUNE SHTETIT I KA KUSHTUAR 11 MIJË EURO

440
0
SHPËRNDAJE

Në periudhën prej vitit 2007 deri në maj të këtij viti, shuma e ofruar si mbështetje për investitorët e huaj kap shifrën prej 225 milionë euro, ndërsa biznesmenët e huaj kanë marrë grante në kesh si dhe kanë pasur lehtësime tatimore. Sipas zëdhënësit qeveritar Mille Boshnjakovski, në këtë shumë janë përfshirë edhe shpenzimet për tërheqjen e investitorëve të huaj, ndërsa sipas të dhënave, në vend kanë hyrë 25 kompani me kapital të huaj, në të cilat janë punësuar 20 mijë persona. Megjithatë, Boshnjakovski shprehet se, 70% e këtyre punësimeve janë siguruar nga kuadrot e marra nga firmat e tjera. Sipas përllogaritjeve, vetëm një vend pune, buxhetit të shtetit i ka kushtuar 11 mijë euro.

 “Nuk ka pasur kritere. Kanë negociuar ministra, këshilltarë dhe promotorë, pa kurrfarë kriteresh. Kur këto negociata kanë përfunduar, qeveria e Nikolla Gruevskit i ka klasifikuar punët për të cilat janë dakorduar, gjegjësisht ka siguruar ruajtje të sekretit për këto marrëveshje. Pas marrëveshjeve sekrete, një pjesë e kompanive kanë marrë më shumë para, ndërsa një pjesë më pak”, u shpreh Mille Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë së RM.

Lehtësimet tatimore që i kanë gëzuar investitorët e jashtëm kapin shifrën prej 69 milionë eurove. Në mënyrë shtesë, blerjet e investitorëve të jashtëm nga furnizuesit vendorë kanë qenë vetëm 1% nga furnizimet e përgjithshme të kompanive të huaja.

“Agjencia për investime të huaja, Zona teknologjiko-industriale zhvillimore si dhe ministrat pa resorë të qeverisë së kaluar, kanë shpenzuar para kesh në grante të pakthyeshme në vlerë prej 26 milionë eurove. Prej tyre, 14 milionë euro janë dhënë për hapjen e vendeve të reja të punës. Disa investitorë kanë marrë nga 1000 euro për vend pune, ndërsa disa të tjerë –  11 mijë euro për një vend pune. Ndërkaq për trajnime, janë shpenzuar plot 5 milionë euro”, tha Mille Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë së RM.

Qeveria po tenton ta defokusojë opinionin dhe veçanërisht tenton t’i dëmtojë investitorët e huaj, reaguan nga partia opozitare VMRO-DPMNE. Përllogaritjet janë të pasakta, shprehet ish zëvendësministri për ekonomi Hristijan Dellev.

“Numrat rreth punësimeve janë absolutisht të pasakta. Nuk janë 20 por 25 mijë. Prej 1500 deri 3000 euro për një vend pune. Këtë e kanë shfrytëzuar edhe investitorët vendorë, edhe ata të jashtëm. Në gjithë këtë përllogaritje, është përfshirë edhe ndërtimi i zonave që në Maqedoni janë 8 si dhe paga e të punësuarve”, tha Hristijan Dellev, nga VMRO-DPMNE.

Nga qeveria deri tani nuk japin detaje për çdo kompani veç e veç. Por, edhe pse marrëveshjet me investitorët e jashtëm, janë të dëmshme për shtetin, ato megjithatë do të respektohen në tërësi, deklaroi Boshnjkovski. Ai paralajmëroi se këto ditë, në mënyrë më të hollësishme do t’i publikojë informacionet për tërheqjen e investitorëve të jashtëm, përmes reklamave, për çka, nga qeveria e kaluar janë shpenzuar 130 milionë euro para të qytetarëve.

Përgatiti: Ile Petrevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU