NISIN PAZARET PËR KANDIDATË TË PËRBASHKËT, VMRO: BASHKOHEN ATA QË S’KANË VETËBESIM

792
0
SHPËRNDAJE

Në 24-orëshin e fundit të afatit për dorëzimin e kandidaturave, partitë politike po bëjnë pazare mes veti që në rrethin e parë të zgjedhjeve të shpallin kandidat të përbashkët nëpër disa komuna. Kandidati i LSDM-së për Kumanovën, Maksim Dimitrievski, nuk e pohon e as nuk e mohon se do të ketë përkrahjen e BDI-së për atë komunë, por shprehet i gatshëm se nga pushteti qendror të kthehet në atë lokal.

“Përvoja ime e punës në vetëqeverisjen lokale është shumë më e madhe sesa që është në politikën qendrore dhe besoj se me përvojën time do të ofrojë kontribut të lartë për qytetarët e mi në qytetin tim si dhe për qytetarët e RM në përgjithësi.  Atje ku kryebashkiaku ynë ka mbetur, planifikoj ta vazhdoj, dhe të gjitha projektet pozitive të papërfunduar, do t’i përfundoj deri në fund”, u shpreh Maksim Dimitrievski, Kandidat i LSDM-së për Kumanovën.

Nga Lëvizja Besa thonë se pas dështimit të bisedimeve me partitë tjera shqiptare për kandidatura të përbashkëta, dera mbetet e hapur për Aleancën për Shqiptarët, për të kandiduar bashkërisht në disa komuna të vogla, por deri në skadim të afatit nuk thonë asnjë emër zyrtar.

“Nuk ka qenë temë e bisedimeve e as që do të jetë për bashkëpunimin dhe dalja e përbashkët për zgjedhje me ndonjë parti politike maqedonase, deri sa ne si shqiptarë dhe si parti kemi dallime substanciale me partitë maqedonase për ardhmërinë e shtetit dhe për për pozitën e shqiptarëve brenda sistemit juridiko-politik”, tha Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa.

VMRO DPMNE në zgjedhje lokale do të garojë me kandidatët e tyre ose të partive që tanimë janë në koalicion. Sipas deputetit Antonio MIlloshovski, partia e tij nuk do të mbështes e as nuk do të ketë asnjë kandidat të përbashkët të partive tjera jashtë koalicionit të tyre. Ai thotë se nuk do ta ndjekin modelin  parive kundërshtare.

“Mendoj se kandidaturat e përbashkëta eventuale të LSDM-së dhe BDI-së janë produkt i marrëveshjes ndërpartiake, gjë që është e drejtë e tyre. Megjithatë, sipas meje, kjo ka të bëje me mungesën e vetëbesimit të tyre, për të arritur rezultat të mirë nëse dalin me kandidatura vetanake”, tha Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.

Nga BDI paralajmëruan se në disa komuna do të kenë kandidat të përbashkët me LSDM-në, por integristët ende nuk zbulojnë se në cilat komuna do të kenë marrëveshje të ndërsjelltë me social-demokratët. Nga Aleanca për Shqiptarët, thonë se janë në mbështetje të kandidaturës së Fatmir Deharit për Kërçovën, por nuk presin kthimin e nderit nga ana e BDI-së për rimarrjen e Strugës.

Përgatiti: Adnan Qaili


S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU