Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është përfshirë sot në debatin për rolin e kreut të PD-së, Lulzim Bashës gjatë kohës sa kishte qenë pjesë e UNMIK’ut si dhe akuzat që i njëjti ka punuar për t’u hetuar anëtarë të UCK-së.
Përmes një postimi Mustafa ka thënë se “Gjykatën Speciale, nuk na e bëri Lulëzim Basha , Sali Berisha, ….por për te vendosi Kuvendi i Kosovës. Nëse s’do ta bënte Kosova do të vendoste Këshilli i Sigurimit i KB. Shqipëria nuk ka dorë dhe as hile në këtë vendim dhe as në proceset gjyqësore që u zhvilluan pas lufte”.
Tutje, Mustafa ka thënë se për Kosovën duhet të ketë qenë nder prezenca e shqiptarëve nga Shqipëria në misionin e UNMIK-ut, sikurse edhe e kosovarëve.
“Baltosja e njerëzve pa asnjë arsye të shëndoshë dhe pa argumente nuk është rrugë dhe mënyrë e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, të vlerave të shtetit tonë dhe të shtetit shqiptar. Duhet të pushojnë sulmet e tilla, sepse po na dëmtojnë”, ka shkruar Mustafa në Facebok./21Media