16 VJET NGA MARRËVESHJA E OHRIT, EKSPERTËT: “MO NUK SJELL STABILITET MES KOMUNITETESH”

233
0
SHPËRNDAJE

Fakti që edhe pas 16 viteve bisedohet për nivelin e implementimit, dëshmon se Marrëveshja e Ohrit ka ngecur ose ka dështuar në shumë aspekte. Kështu vlerësojnë njohësit e politikës të cilët rikujtojnë se ky dokument i rëndësishëm ende nuk ka përmbushur zyrtarizmin e gjuhës shqipe, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve nëpër institucioneve dhe pajtimin mes etniteteve. Blerim Iseni vlerëson se Marrëveshja e Ohrit duhet të simbolizojë frymën e bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët të komuniteteve në Maqedoni.

 

“Ka mbetur të realizohet përfundimisht edhe çështja e gjuhës dhe mendoj se ajo që është me rëndësi të realizohet nga Marrëveshja e Ohrit është fryma e kësaj dhe mendoj se për këtë duhet reforma rrënjësore jo vetëm institucionale por edhe mentale në Maqedoni”, tha Blerim Iseni, analist politik.

Për gazetaren Sonja Kramarska, Marrëveshja e Ohrit nuk solli stabilitet në vend, sepse akoma nuk janë përmirësuar marrëdhëniet ndëretnike, por ajo shton se ligjet që do të sillen nuk do ta integrojnë vendin drejt një shoqëri qytetare siç pretendohet.

 

“Vlerësimi im është se ajo ka sjellë përmbajtje të shtetit, megjithatë nuk ka sjellë stabilitetit e duhur dhe ajo u tregua se të gjitha qeveritë pa përjashtim ishin të kërcënuar nga partitë që participojnë, pra partitë shqiptare”, tha Sonja Kramarska, gazetare.

Analistët kujtojnë se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit duhej të sillte edhe integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Ndryshe, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, më 13 gusht të vitit 2001, iu dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni, dokument ky që u arrit me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar dhe u nënshkrua nga presidenti i atëhershëm i Maqedonisë, Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm, Lubço Georgievski, lideri Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, ai Partisë për Prosperitet Demokratik, Imer Imeri, dhe ai i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbër Xhaferri.

Përgatiti : Zimer Jashari

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU