AGONI PËR SHKARKIMIN E PROKURORIT PUBLIK, OPOZITA NGA FOLTORJA FLET PËR GJITHÇKA, VETËM PËR ZVRLEVSKIN JO

578
0
SHPËRNDAJE

Gjatë gjithë ditës, deputetët e VMRO-DPMNE-së, nga foltorja e Kuvendit diskutonin për qeverinë, për zjarret, për pagat, për emigrantët. Ata diskutonin për gjithçka, vetëm për shkarkimin e prokurorit publik shtetëror Marko Zvrllevskin – jo. Zoran Ilioski nga VMRO-DPMNE u shpreh se LSDM me këtë debat dëshiron ta defokusjë publikun nga sukseset e mëdha në thonjëza, sepse – siç tha –  për 70 ditë, ata nuk kanë bërë asgjë.

“Sipas Kodit zgjedhor, ky diskutim duhet të ndërpritet dhe të vazhdojë më 15 tetor. Megjithatë, për ta, është e rëndësishme të flitet për gjithçka, por jo edhe për problemet, të cilat ata nuk janë të aftë t’i zgjidhin, si për shembull shuarja e zjarreve”, tha Zoran Ilioski, nga VMRO-DPMNE.

Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Tomisllav Tuntev prej fillimit potencoi se deputetët e partisë së tij nuk do të marrin pjesë në këtë diskutim – siç e quajti – të pakuptimtë.

“Nuk mund që ju kolegë nga VMRO-DPMNE të na tërhiqni të marrim pjesë në këtë diskutim të pakuptimtë. Edhe e harxhojmë kohën tonë, edhe i harxhojmë paratë e qytetarëve, edhe nuk ka kurrfarë efekti”, u shpreh Tomisllav Tuntev, Koordinator i grupit parlamentar të LSDM.

Tuntev shtoi se, që të zbatohen reformat që i pret Bashkimi Evropian por edhe qytetarët e Maqedonisë, nevojitet efikasitet në punë, duke filluar nga gjyqësori dhe për këtë arsye  duhet të shkarkohet prokurori publik Marko Zvërllevski.

Lidhja Demokratike e Maqedonisë deklaroi sot se VMRO-DPMNE po bën bllokadë klasike të reformave, duke filluar me obstruksionet për konstituimin e Kuvendit, më pas me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit, me pengimin e ndryshimeve kadrovike në Prokurorinë Publike si dhe me pengimin e reformave të sistemit gjyqësor.

“Këto bllokada nënkuptojnë edhe pengimin e proceseve euroatlantike dhe zbatimin e rekomandimeve të Pribes për reforma në shërbimet sekrete, në media dhe në gjyqësor”, nga LDM.

Vërejtjet kryesore të organizatave ndërkombëtare, të përfshira në zgjidhjen e krizës politike në vend, sugjerojnë se prioritare janë reformat në sistemin gjyqësor të Maqedonisë. Partia në pushtet LSDM konsideron se çlirimi i gjykatave nga ndikimi politik duhet të fillojë me shkarkimin e prokurorit shtetëror.

Përgatiti: Miradie Hasani

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU