RRITJEN E PAGËS MINIMALE PO E PRESIN 80 MIJË QYTETARË, A DO TË MUND TË JETOHET NORMALISHT ME 200 EURO NË MUAJ?

707
0
SHPËRNDAJE

 

Për më pak se një muaj, paga minimale në vend do të rritet prej 10.800 në 12 mijë denarë. Këtë rritje po e presin më shumë se 80 mijë qytetarë të cilët deri më tani kanë marrë nga 10.080 denarë. Por a do të mund paga prej 200 eurove ti plotësojë nevojat themelore për një jetë normale në Maqedoni?

Anketë qytetarët:

“Paga minimale duhet të jetë nga 15 deri në 20 mijë denarë. Çfarë mund të bësh me 12 mij denarë ?”

“Dikujt do t’ia zgjedhë problemet e dikujt jo. 200 euro është një shumë e mirë.”

“Mendoj se realisht është një lëvizje e mirë, por ende nuk do t’i plotësojë nevojat e qytetarëve për shkak të shpenzimeve të larta. 400 euro do të ishin të mjaftueshme si pagë minimale.”

Me këtë rritje, qeveria përgatit ndryshime në ligjin për pagë minimale i cili do të sillet me procedurë të shkurtuar. Është paraparë ndihmë financiare për firmat, e cila do të sigurohet nga arka shtetërore. Por që ta marrin këtë ndihmë nga shteti, firma nuk guxon të jetë në fazë e falimentimi apo likuidimi.

PROPOZIM LIGJI PËR PAGËN MINIMALE:

“Kompania duhet t’i ketë të shlyera të gjitha detyrimet ndaj të punësuarve në bazë të rrogës, kontributet e sigurimit social dhe tatimor, deri në fund të muajit që i paraprin muajit për të cilin sigurohet ndihma sociale.”

Për një të punësuar, qeveria planifikon që të japë subvencione prej 500 deri 2000 denarë, në varësi nga paga të cilën e kanë marrë më herët. Pas një viti, planifikohet që ndihma shtetërore të përgjysmohet.

“Pronarët të cilët do të marrin ndihmë financiare nga shteti në formë subvencioni, kanë për detyrë që t’i mbajnë të punësuarit më së paku një vit. Në të kundërtën do të duhet që t’i kthejnë prapa paratë e marra.”

Pjesa më e madhe e ekspertëve dyshojnë se ekonomia e Maqedonisë ka kapacitet që të paguajë pagë minimale në vlerë prej 200 eurove, dhe kanë frikë nga zvogëlimi I numrit të të punësuarve në kompanitë e sektorit privat. Në kohën kur sindikatat po luftojnë për karrigen e kryetarit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë e shumë pak për të drejtat e punëtorëve, nga LSM-ja thonë se nuk frikësohen nga shkarkimet e mundshme nga sektori privat.

“Nuk presim që të ketë shkarkime të të punësuarve nga sektori privat për shkak se është edhe në interes të kompanive që t’i mbajnë të punësuarit në vendet e tyre të punës. Me këtë, prodhimtaria do të rritet dhe do të orientohet  drejt eksporteve”, u shpreh Metodija Dimeski, Sekretar i përgjithshëm i LSM-së.

Rritja e pagës minimale ishte një nga premtimet më të mëdha të partisë qeverisëse LSDM. Kjo gjë duhej të ndodhte deri në prill të këtij viti, por u shty për në muajin shtator.

“Menjëherë pas ndryshimit në prill të vitit 2017, paga minimale do të rritet në 12 mijë denarë, e cila do të vlejë edhe për të punësuarit në industrinë e tekstilit dhe të lëkurës”, tha Dragan Tevdovski, Ministër i Financave.

Nga partia opozitare VMRO-DPMNE, që e praktikonte subvencionimin e degëve të ndryshme ekonomike, tani thonë se vendosja e pagës minimale është meritë e tyre, ndërsa rritja e subvencionimit nga shteti paraqet populizëm të pastër. Përndryshe, sipas statistikës evropiane, aktualisht pagën më të ulët minimale nga vendet e Ballkanit perëndimor e ka Kosova, edhe atë vetëm 130 euro. Maqedonia ndodhet në vendin e parafundit së bashku me Shqipërinë ku pagat minimale janë 150 euro. Në Serbi paga minimale është 174 euro , në Mal të Zi 193 ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë 191 euro.

Përgatiti : Ile Petrevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU