DHP ME LISTË TË RE “TË TURPIT”, FIRMAT SHTETËRORE – MOSPAGUESIT MË TË MËDHENJ TË TATIMIT

478
0
SHPËRNDAJE

Në krye të listës së kompanive që nuk paguajnë tatim janë Oteks nga Ohri, ndërsa menjëherë pas saj është Ndërmarrja publike për mirëmbajtjen e rrugëve, e cila shtetit i ka borxh rreth 7.5 milionë euro. Në listën e zezë të kompanive që kanë borxh janë edhe Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura me 756 mijë euro borxh dhe Radio Televizioni Maqedonas me 1.7 milionë euro borxh.  Përveç servisit publik, pothuajse 100 mijë euro borxh shtetit i ka edhe Alfa TV, ndërsa Televizioni Nova i Sead Koçanit nuk ka paguar tatim në lartësi rreth 20 mijë eurove. Nga komunat, më së shumti borxh ka Komuna e Karposhit edhe atë 144 mijë euro. Në listë ende mund të gjenden marketet e Velija Ramkovskit, borxhi i të cilit është mbi 2 milionë euro.

Është e mundshme që në listën e borxhlinjve të ketë edhe prej atyre që u janë bllokuar xhirollogaritë. Por gjithçka varet nga madhësia e obliguesit tatimor. Kështu, nëse bëhet fjalë për obligues tatimor të madh, atëherë ai do të gjendet në listë edhe nëse një muaj vonohet me pagesën. Tatimet që duhet të paguhen janë mbi baza të ndryshme dhe me afate të ndryshme të pagesës.

Para rreth një muaji, Ministria e Financave publikoi se institucionet shtetërore kanë edhe borxhe të fshehura në lartësi prej 363 milionë eurove deri më 31 maj të këtij viti. Ministri Tevdoski deklaroi se borxhi i shfrytëzuesve buxhetorë është pothuajse 100 milionë euro, ndërsa borxh identik kanë edhe ndërmarrjet publike që rregullisht gjenden në listën e zezë të borxhlinjve të DHP-së.

“Ministria e Financave është dakorduar me Bankën Botërore për një projekt për menaxhimin e këtyre detyrimeve dhe për zhvillimin e mekanizmave për parandalimin e këtyre veprimeve në të ardhmen. Këto janë detyrime që janë akumuluar për një periudhë të gjatë kohore dhe po punojmë për një projekt për caktimin e metodologjisë për pastrimin e borxheve”, u shpreh Dragan Tevdovski, Ministër i Financave.

Një nga mënyrat që DHP ta kompensojë humbjen nga mospaguesit kronikë është që këtyre t’u konfiskohet një pjesë e pasurisë: vetura, vepra arti dhe gjësende të tjera.

Më datë 24 të këtij muaji, Drejtoria e të Hyrave Publike do të organizojë ankand të ri elektronik të pronës së luajtshme dhe të paluajtshme, të konfiskuar nga obliguesit tatimorë. Do të shiten banesa, garazhe, vetura, furgonë, pajisje për amvisëri dhe aparate teknike.

Përndryshe, DHP njoftoi se në vitin 2019, rreth 300 mijë obligues tatimorë do të mund që tatimin ta paraqesin në rrugë elektronike, në vend se raportin vjetor ta dorëzojnë personalisht. Sipas rregullave të reja, DHP do të ketë për detyrë që t’i mbledhë të gjitha të dhënat për të ardhurat e realizuara të personave fizikë dhe këtij t’ia dorëzojë në formë elektronike për plotësim apo korrigjim eventual.

Përgatiti: Ile Petrevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU