PËRGATITET STRATEGJI PËR KONFISKIMIN E PRONËS, A DO TË VENDOSET MATËSI NË PORTËN TRIUMFALE?

771
0
SHPËRNDAJE

Qeveria është në përgatitje të një strategjie për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Në seancën e djeshme u harmonizuan detajet e strategjisë për përforcimin e kapaciteteve për kryerjen e hetimeve të hollësishme financiare. Strategjinë do ta përgatitin grupet punuese të përbëra nga ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Ministrisë së Financave, të Drejtorisë së të Hyrave Publike dhe të Policisë Financiare.

“Ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski dorëzoi informacion ku e sqaron nevojën për nisjen e aktiviteteve për përpilimin e Strategjisë së Republikës së Maqedonisë për përforcimin e kapaciteteve për kryerjen e hetimeve financiare dhe për konfiskimin e pronës, me një Plan veprues për zbatimin e tij, sepse gjatë kryerjes së hetimeve financiare dhe gjatë konfiskimit të pronës janë zbuluar dobësi të caktuara”, nga MPB.

Konfiskimi i mundshëm i pasurisë ishte një nga porositë e kryeministrit aktual Zoran Zaev gjatë fushatës së tij zgjedhore drejtuar politikanëve dhe funksionarëve të  korruptuar, se krimi më nuk do të tolerohet.

“Kryeministri Zoran Zaev gjatë fushatës zgjedhore premtoi se në portën triumfale “Maqedonia” do të vendoset një matës i cili do të tregojë se sa para janë kthyer në arkën shtetërore, për të cilat është dëshmuar se janë fituar në mënyrë të paligjshme.”

Që nga koha kur ishte lider i opozitës, Zaev shprehej se ish funksionarët qeveritarë do të japin llogari për shpenzimet jotransparente të parave të qytetarëve. Nga VMRO-DPMNE thonë se nuk kanë problem me një zgjidhje të tillë ligjore, por kërkojnë që ajo të vlejë për të gjithë njësoj.

“Nëse kjo do të vlente njësoj për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, atëherë si ide, një gjë e tillë do të ishte në rregull”, tha Hristijan Dellev, nga VMRO-DPMNE.

Ish drejtori i agjencisë për konfiskimin e pronës Vanço Shehtanski për Tv21 thotë se rastet e konfiskimit të pasurisë së politikanëve janë tejet të rralla.

“Agjencia për konfiskim që u formua në vitin 2009 nga qeveria, nuk vepron në mënyrë të pavarur. Ky është institucion që vepron me vendim gjyqësor për konfiskimin e pronës të sjellë nga Gjykata Penale, të dorëzuar sipas detyrës zyrtare. Në vitin 2010 u konfiskuan 11 milionë euro. Që atëherë e deri tani, nuk është konfiskuar asgjë”, tha Vanço Shehtanski për TV21 gjatë një bisede telefonike.

Njohësit e kësaj problematike komentojnë se kjo praktikë gjyqësore shfrytëzohet shumë pak, gjegjësisht se paratë shtetërore të vjedhura nuk mund të kthehen lehtë pa një gjyqësor të pavarur. Një nga politikanët e rrallë të cilit i është marrë pasuria është Lube Boshkovski por edhe ish drejtori i DSK-së Sllobodan Bogoevski për veprat penale “larje të parave, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për fshehje të tatimeve”. Pa një pjesë të pasurisë mbeti edhe ish kryetari i komunës së Karposhit, Sasha Dimiq, për veprën penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autorizimeve”.

Përgatiti: Ile Petrevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU