NJË DITË PUNE PËR TAKSISTËT ZGJAT 12 ORË, TAKSISTËT KËRKOJNË NGA QEVERIA KUSHTE MË TË MIRA

149
0
SHPËRNDAJE

Fatmir Alili është taksist. Vetura që e vozit është marrë me qera nga një kompani taksie. Për 24 orë shfrytëzim të maiknës, ai duhet të paguajë 600 denarë. Për të përfituar gjatë një dite dhe për t’i mbuluar shpenzimet që ka, atij i duhet të punojë edhe nga 12 orë në ditë.

Në rast se dëshironi të voziteni me taksi, duhet të paguani 40 denarë në start, më pas 25 denarë për çdo kilometër të kaluar. Por Alili thotë se nuk mund të dihet saktësisht sa para mund të kushtojë vozitja me taksi, sepse në Shkup trafiku rrugor është  tejet i ngarkuar.

 Shoferët e taksive thonë se nga kjo punë nuk mund të fitohet. Për këtë arsye, Asociacioni i taksive në Maqedoni, në emër të 57 kompanive të taksive, dje mbajtën takim me përqafuesit e qeverisë, ndërmjet të cilëve edhe me kryeministrin Zoran Zaev, me ministrin për transport dhe lidhje Goran Sugarevskin dhe me ministrin e brendshëm Oliver Spasovski.

Në këtë takim, ata kërkuan të ndryshohet rregullativa aktuale ligjore dhe përshtatja e saj me gjendjen reale të transportit me taksi.

“Kryetari i Qeverisë i thirri edhe përfaqësuesit e asociacionit të marrin pjesë në mënyrë aktive përmes një komunikimi të vazhdueshëm dhe intensiv, në mënyrë që të kontribuojnë me propozimet e tyre në gjetjen e një zgjidhjeje efikase dhe të pranueshme për të gjithë – thuhet në kumtesën e shërbimit për shtyp të qeverisë.”

Për kërkesat e taksistëve dhe për sigurimin e tyre, kompetente është Ministria e Financave, të cilët sot nuk iu përgjigjën pyetjeve të Tv21. Përndryshe, çmimi i bartjes me taksi në Shkup është ndër më të ulëtit në Ballkan. Nga metropolet e rajonit, çmime më të ulëta ka Sofja. Në Beograd, starti është 1.32 euro, ndërsa një kilometër kushton prej gjysmë euro deri 1 euro. Në Tiranë ndërkaq, për transport me taksi, vetëm për 1 kilometër paguhet 2.5 euro, ndërsa në mbrëmje ky çmim shkon deri edhe në 4 euro.

Përgatiti: Miradie Hasani

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU