10 MINUTA – NJË DITË ME USHTARËT NË PISTËN USHTARAKE “KRIVOLLAK”

287
0
SHPËRNDAJE

U zgjua dhe po përgatitet për të dalë në terren. Po vesh uniformën ushtarake dhe po vendon kamuflazhin në fytyrë. Rreshter Fatuesi është një nga 300 ushtarët amerikan që më 28 korrik erdhën në Maqedoni për të marrë pjesë në ushtrimin “Dragoon Gardian”. Ushtarët Amerikan të shoqëruar nga 95 ushtarë të ARM-së qëndruan në pistën ushtarake Krivollak ku morën pjesë në një sërë aktivitetesh.

Të shoqëruar nga togeri Shtiti dhe Nëntogeri Arifi, u afruam drejt pikës ku do të demonstrohet aktiviteti i parë. Ata i rreshtuan ushtarët dhe po ua tregojnë detyrat. Na shpjeguan se këtu do të ushtrojnë vendosjen e minave. Nëntogeri Arifi na e tregoi procedurën e vendimit të minave anti-tanke.

“Përgatitet vendi ku duhet të vendoset mina anti-tanke. Gjithashtu merren dimensionet ku do të vendoset mina. Vendoset njëherë, definohen kufijtë e minës, fillojmë të gropojmë në mënyrë precize, sa madhësia e minës. Mina duhet patjetër të jetë e barabartë me sipërfaqen e tokës, të jetë stabile dhe të maskohet. Rrezik nga eksplodimi nuk ka, derisa nuk vendosen nxitësit lart. Mina maskohet që të jetë njëjtë me terrenin dhe të mos dallohet. Aktivizimi i minave bëhet në mënyrë të veçantë”, u shpreh Nëntoger Taulant Arifi.

Toger Shtiti na tregoi pak për pjesën shoqërore pas përfundimit të detyrave ditore.

“Zakonisht pasi ti përfundojmë ushtrimet, ne ulemi në shtab, marrim disa koka kola, ulemi diskutojmë rreth aktiviteteve ditore, aspektet e ndryshme që dëshirojmë të bëjmë, dhe shoqërohemi sa për të thyer monotoninë e punës. Nuk e di cilat shaka janë më të mira, mua më pëlqejnë shakatë amerikane, por edhe këta kanë disa shaka të mira”, tha Toger Shtiti.

Pasi na treguan se si vendosen minat, na njoftuan edhe me automjetin që përdoret për detektimin e tyre. E ashtuquajtura Haski, është makina e cila mund të detektojë mina nga afër e nga larg, edhe ato nëntokë, ndërsa edhe po ta godasin minat apo plumbat, nuk i bëjnë gjë. Ngasësi i kësaj makine Nëntoger Fuller, na tregon se ka shkelur në minë dhe është goditur nga plumba, por nuk është dëmtuar.

“Kjo formë “V” e makinës i mundëson shpërthimin ta shpërndajë në dy anë. Dritaret janë të papërshkueshme nga plumbat, janë mjaft të trasha. Mund të durojë shumë plumba para se të ndërrohet. Nga brenda goditjet nga plumbat duken sikur kur të godet dikush me gur. Sa i përket shpërthimeve, kam qenë i goditur disa herë në këtë makinë, është shumë e sigurt”, tha Nëntoger Fuller.

Pasi u larguam nga aty, vazhduam në “trurin” e qendrës ushtrimore, në qendrën e përbashkët  operative. Aty na njoftuan se si funksionojnë komunikimet me ushtarët në terren dhe me shtabet tjera. Aty dy udhëheqësit e batalioneve, asaj të kalorësisë së dytë të ushtrisë amerikane dhe të batalionit inxhinierik të ushtrisë së Maqedonisë na folën pak edhe për përvojat e mira që kanë pasur nga instruksionet me qytetarët nëpër qytete të ndryshme të Maqedonisë.

Nga aty vazhduam për në pikën e radhës, e që ishte gjuajtja e armëve në shenjë. Togeri Haxh na shpjegoi se ushtarët fillimisht gjuajnë për të marrë masë të shenjës. pastaj në shënjestrën e dytë gjuajnë për të goditur shënjestrën, ndërsa për tu kualifikuar për më tutje duhet që së paku të goditen 23 nga 40 plumbat në shënjestër. Ai na tha se ky ushtrim ka edhe anën konkurruese.

“Çdo ushtarë merr 40 plumba. Për tu kualifikuar duhet të godasësh 23 nga 40. Këto katër shënjestra këtu duhet të goditen nga 3 plumba secila, këto dy me nga 4 plumba, ndërsa 4 shënjestrat e fundit duhet të goditen nga 5 plumba në secilën. Gjuajtësit, në bazë të rezultatit marrin tituj, p.sh. nëse godet mbi 36 plumba nga 40, jeni gjuajtës ekspert dhe fiton një bexh”, tha Toger Haxh.

Ne lamë pikën e gjuajtjes në shënjestër për të shkuar drejtë vendit ku po bëhej aktiviteti kryesorë dhe më i madh mes këtyre dy batalioneve ushtarake, në vendin ku po ndërtohet pista ushtarake për fluturim dhe aterrim të fluturueseve pa pilot. Vetëm para disa ditëve punimet e kësaj piste i përcollën nga afër funksionarët më të lartë shtetëror të Maqedonisë dhe SHBA-ve në Maqedoni. Nga aty, Lejtnant koloneli Mark Hajms na foli për ecurinë e deritanishme të ushtrimit Dragoon Guardian.

“Gjatë 10 ditëve të fundit kishim rastin të ushtrojmë me partnerët tanë inxhinierë nga Maqedonia në disa detyra shumë të rëndësishme. Kishim rastin të punojmë dhe në një projekt ndërtimi, që është projekti prapa nesh, pista për fluturake pa pilot. Sa ishim këtu kishim rastin të realizojmë disa aktivitete në qytete të Maqedonisë, dhe në secilën nga këto angazhime ka pasur mbështetje të madhe nga qytetarët. Kjo u dha rast ushtarëve tanë të flasin për mjetet tona, për misionin tonë dhe të komunikojnë me qytetarët e Maqedonisë. Gjëja e parë që do të thosha është që ushtarët tanë dhe ata të Maqedonisë kanë këmbyer ushtrimet në të gjitha nivelet, mjekët tanë dhe ata të Maqedonisë, kuzhinierët tanë dhe ata të Maqedonisë. Kjo ka rezultuar në një rast për ne që të shijojmë ushqimin maqedonas, dhe për ushtarët maqedonas të provojnë ushqimin amerikan. Kemi pasur disa ushqime mjaftë të shijshme”, tha nënkolonel Mark Hajms.

Nënkoloneli Vasil Mitevski na tregoi për rëndësinë e kësaj piste për fluturake pa pilot.

“Pista për fluturake pa pilot, ashtu siç ishte njoftuar në fillim, me një gjatësi prej 300 metrave dhe gjerësi prej 30 metrave, paraqet një pistë që do të jetë e gatshme për ngritje dhe ulje të fluturakeve pa pilot dhe e njëjta, siç mund të shihni është e bërë gati. Janë bërë matjet e nevojshme me aparaturën nga SHBA-të. Pasuria e ndërtimit të kësaj piste kanë qenë pikërisht këto matje, zgjedhja e lokacioneve koordinatave në ndërtimin e kësaj piste dhe tani do të kemi një pistë të verifikuar që do të mund ta përdorim dhe nëse dëshirojnë do të mund ta përdorin edhe partnerët tanë nga SHBA-të”, tha nënkolonel Vasil Mitevski.

300 ushtarët amerikan dhe ushtarët e ARM-së i përfunduan aktivitet më 8 gusht , ndërsa para se ta braktisin vendin patën aktivitete edhe në disa qytete të Maqedonisë.

Përgatiti: Barjam Memeti

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU