Slloveni, rritet numri i të sapoinfektuarve, për 24 orë 1.113 të infektuar

TË FUNDIT

Në Slloveni në 24 orët e fundit, janë konfirmuar 1.113 raste të reja të koronavirusit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 24.063, prej të cilëve aktivë janë 15.230.

Numri i pacientëve në spitale vazhdon të rritet, ku qëndrojnë 523 pacientë, nga të cilët 82 janë në kujdes intensiv, ndërsa numri i vdekjeve nga Kovid-19 është rritur në 248.

“Nëse është e mundur, qëndroni në shtëpi, vetëm atëherë mund ta ulim kurbën epidemiologjike. Situata është e vështirë dhe po ndryshon nga ora në orë”, tha Jelko Kacin, zëdhënës i Qeverisë për Kovid-19, në konferencë për shtyp, duke shtuar se Qeveria po konsideron masa urgjente për të rritur kapacitetin e spitaleve.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë masat, sepse “Qeveria nuk ka më hapësirë ​​për të manovruar” për masa të reja, më të rrepta.

Ministri i Shëndetësisë Tomazh Gantar, natën e kaluar e lëshoi ​dekretin duke pezulluar për 14 ditë të gjitha shërbimet shëndetësore jourgjente, përfshirë programet shëndetësore parandaluese, në mënyrë që t’u japë përparësi pacientëve me Kovid. Ai njoftoi se në të ardhmen sektori privat i shëndetësisë me koncesion, mjekë – specialistë dhe specialistë do të mund të përfshihen në punën në spitale.