REFERENDUMET “BIEN NË UJË”, NË LIGJIN PËR XEHERORET NUK KA OPSION PËR ZGJIDHJE TË NJËANSHME TË MARRËVESHJES

72
0
SHPËRNDAJE

Nuk pushojnë reagimet në opinion dhe në rrjetet sociale pasi Ministria e Ekonomisë doli me njoftim ku thuhet se referendumet që po organizohen në jug të Maqedonisë janë të kota. Nga kjo ministri theksojnë se në ligjin për koncesion dhe lëndë minerale nuk është parashikuar që marrëveshja të prishet sipas rezultateve të referendumeve. Tani nga kjo ministri topin ia hedhin qeverisë për të vendosur. Edhe pse kërkuam qëndrim nga zëdhënësi qeveritar Mille Boshnjakovski, deri në fillimin e këtij edicioni informativ nuk morën asnjë përgjigje.

“Në ligj nuk është parashikuar që marrëveshja për koncesion të zgjidhet në mënyrë të njëanshme për shkak të realizimit të referendumit. Duke e pasur parasysh faktin se dhënës i koncesionit është qeveria, ndërsa Ministria e Ekonomisë është organ i administratës shtetërore përgjegjës për kryerjen e punëve në fushën e lëndëve minerale, përgjigjja dhe qëndrimi përfundimtar për këtë çështjet duhet të dalë nga Qeveria”, nga Ministria e Ekonomisë.

Të parët që e shfrytëzuan këtë të drejtë demokratike ishin qytetarët e Gjevgjelisë, të cilët realizuan referendum të suksesshëm.

“Qytetarët nga jugu i vendit organizuan referendum dhe e fituan një betejë të rëndësishme. Por a do të thotë kjo se ata janë fitimtarë në luftën ndërmjet shëndetit të qytetarëve në një anë dhe interesave të biznesit në anën tjetër? Pas referendumeve të suksesshme, tani janë hapur shumë çështje. Sipas ekspertëve, vullneti i qytetarëve duhet të respektohet, por ligji e thotë të kundërtën.”

Vullneti i qytetarëve është shprehur qartë përmes referendumeve të mbajtura, komentojnë njohësit e kësaj çështjeje. Ministria e Ekonomisë duhet t’i mbrojë interesat e publikut dhe të qytetarëve, thotë Stolle Georgiev, këshilltar për ambient jetësor. Sipas tij, Maqedonia është shtet i cili me këtë lloj të demokracisë së drejtpërdrejtë, ndeshet për herë të parë.

“Personalisht mendoj se kjo është pasojë e jotransparencës së institucioneve, kyçja jo në kohë e publikut në procese si dhe mos pasja qasje ndaj informacioneve relevante për mënyrën e vendimmarrjes. Marrja e vendimeve në mënyrë të njëanshme nga ana e institucioneve qeveritare, kur imponohen zgjidhje që i dëmtojnë apo janë në kundërshti me interesat e komunitetit, kanë përfunduar tanimë në demokracinë moderne”, u shpreh Stolle Georgiev, Këshilltar për ambient jetësor.

 Pas Gjevgjelisë, referendum të suksesshëm realizuan edhe banorët e Bogdancit. Për dy javë, këtë të drejtë demokratike do të shfrytëzojnë edhe qytetarët e Vallandovës, ndërsa në mesin e muajit të ardhshëm, është caktuar referendum edhe në Novo Sellë.

Përgatiti: Ile Petrevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU