LIGJI PËR PIRJEN E DUHANIT NË KUVEND, PUSHTETI KËRKON NDRYSHIM, OPOZITA DEBAT PUBLIK

373
0
SHPËRNDAJE

Ligji për mbrojtje nga pirja e duhanit është sjellë në vitin 1995, ndërsa që atëherë është ndryshuar 8 herë. Propozues për ndryshimin e këtij ligji është deputeti i LSDM Tomisllav Tuntev bashkë me 7 deputetë të tjerë. Tuntev shprehet se me çdo ndryshim të ligjit, janë sjellë rregulla më të ashpra dhe më të ndërlikuara, të cilat, sipas tij, kanë qenë ngarkim shtesë për bizneset që shërbejnë ushqim dhe pije. Për këtë arsye, ai kërkon mbështetje për këtë projektligj, me qëllim që – siç thotë – sadopak të shpëtohet sezoni turistik, para së gjithash në vendet turistike në Maqedoni.

“Në këtë pjesë ku është e lejuar pirja e duhanit, ju uleni si duhanpirës në hapësirë të hapur në të tria anët. Në një moment, njëri nga klientët kërkon që për shkak të erës apo shiut, të mbyllet njëra anë. Sipas dispozitës ligjore, në atë moment duhanpirësi shndërrohet në jo duhanpirës”, tha Tomisllav Tuntev, nga LSDM.

Sipas analizës komparative të realizuar pikërisht me kërkesë të propozuesit të ligjit, nga 28 shtete të Bashkimit Evropian, ndalimi i plotë i pirjes së duhanit në hapësira të mbyllura të bareve vlen vetëm në 9 shtete, në 12 shtete ka ndalesë të plotë të pirjes së duhanit në vendet e mbyllura publike, ndërsa në 10 shtete, pirja e duhanit në restorante është tërësisht e ndaluar.

Por me këtë nuk pajtohen nga partia opozitare VMRO-DPMNE. Ata kërkojnë që para se ligji të ndryshojë, të zhvillohet një diskutim publik

“Kërkuat që të ketë debat publik dhe për këtë pajtohem me ju, për shkak se, këtu, ne jemi përfaqësues të të gjitha kategorive të qytetarëve. Domethënë, ne jemi përfaqësues edhe të hotelierëve edhe të klientëve. Meqë ka klientë që janë duhanpirës dhe klientë që nuk janë duhanpirës, ne kërkojmë të zhvillohet një debat publik i cili do të ofronte një zgjidhje sistemore për këtë çështje”, u shpreh Zoran Gjorgjievski, VMRO-DPMNE.

Pas diskutimit të shkurtër, anëtarët e Komisionit për shëndetësi, në mënyrë unanime votuan që propozimi të shkojë në debat publik.

Përndryshe, nga Instituti për Shëndet Publik thonë se 46% e qytetarëve të Maqedonisë janë duhanpirës dhe se shumica e tyre janë në moshë prej 35 deri 64 vjeç.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si pasojë e pirjes së duhanit, çdo vit në botë vdesin 6 milionë njerëz, ndërsa nëse nuk merren masa konkrete, ky numër deri në vitin 2030 do të ngjitet në 8 milionë. Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhen në tre vendet e para për nga numri i duhanpirësve në botë.

Përgatiti: Zimer Jashari

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU