ORGANIZATAT E GRAVE KËRKOJNË BARAZI NË SPORT, REAGIME TË ASHPRA DERI TE ORGANIZATORËT E “MARATONËS SË OHRIT”

256
0
SHPËRNDAJE

Me sa duket, shpërblimet për maratonën ndërkombëtare të 31 në atletikë për meshkujt dhe femrat, këtë vit do të jenë të barabarta. Barazimi i shpërblimit në para, në një farë mënyre u arrit pas reagimeve të ashpra të disa organizatave të grave drejtuar kundër organizatorëve të kësaj ngjarjeje sportive. Në njoftimin për këtë ngjarje sportive të publikuar në rrjetet sociale, shkruan se fituesi i garës për meshkuj do të fitojë 800 euro, ndërsa fituesja në garën për femra – 500 euro. Për vendin e dytë në garën për meshkuj, çmimi është 400 euro, ndërsa në garën për femra – 200 euro, edhe pse gjatësia e rrugës së vrapimit, edhe për meshkujt, edhe për femrat është e barabartë. Irina Haxhi Mitova nga iniciativa civile për të drejtat e grave “Antiko” shprehet se një gjë e tillë është e palejueshme.

“Një qasje e këtillë, së pari nuk është as në frymën sportive, por akoma më me rëndësi, ajo nuk është as në pajtim me ligjin për mundësi të barabarta të grave dhe burrave. Në të, mes tjerash, në mënyrë decide thuhet se në shumë fusha ndalohet diskriminimi mbi bazë gjinore, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, përfshi këtu edhe sportin”, u shpreh Irena Haxhi Mitova, Antiko.

Organizatorët e maratonës tani garantojnë se shpërblimet do të barazohen, ndërsa ndryshimet do të vlejnë prej ditës së enjte. Për momentin nuk dihet se a do t’i ulin shpërblimet e paralajmëruara për meshkujt, apo do të kërkojnë sponsorë për rritjen e shpërblimeve për femrat. Vitin e kaluar, në këtë garë morën pjesë vetëm 9 femra, por këtë vit, organizatorët presin shumë më tepër, të paktën sipas reagimeve të sotme.

“Tanimë ndërmorëm disa aktivitete që të korrigjohemi, megjithatë do të apeloja publikisht, ashtu siç kishte reagime për shpërblimet, ngjashëm të paraqiten sa më tepër pjesëmarrëse nga gjinia femërore, sepse, gjatë gjithë këtyre viteve, në këtë garë asnjëherë nuk kemi pasur më shumë se 10 femra”, theksoi Peco Nedanov, Kryetar i Shoqatës për Maratonë Atletike.

Maratona ndërkombëtare në atletikë “Ohër 2017” do të mbahet më 8 shtator, me rastin e ditës së pavarësisë së Maqedonisë. Gara zhvillohet pranë bregut të Liqenit të Ohrit në gjatësi prej 30 kilometrave, ndërsa starton prej kompleksit Shën Naumi.

Përgatiti: Bajram Memeti

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU