Më shumë se 170 shtete premtuan se do të punojnë më shumë për të drejtat e grave

TË FUNDIT

Më shumë se 170 shtete gjatë takimit virtual të KB-së, premtuan se do të punojnë më shumë për të drejtat e grave.

Takimi u organizua me rastin e 25 vjetorit të Konferencës ndërkombëtare për gratë, të mbajtur në Pekin në vitin 1995. Samiti aktual ishte jashtë agjendës zyrtare të sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të KB. Nga 170 folës në forum, vetëm dhjetë ishin gra.

Sekretari i përgjithshëm i KB Antonio Guteresh ka thënë se përmirësimi i kushteve për gratë fillon me përfaqësimin e barabartë të grave në pozitat udhëheqëse. Mesatarisht, gratë kanë 75 për qind të të drejtave ligjore të burrave, deklaroi Guteresh.

Globalisht, një në tre gra vuan nga një formë e dhunës gjatë jetës së tyre. Çdo vit, 12 milion vajza martohen para moshës 18 vjeç. Në vitin 2017, mesatarisht 137 gra në mbarë botën janë vrarë çdo ditë nga një anëtar i familjes së tyre.