Samiti i BE-së: Sanksione për Bjellorusinë, dialog me Turqinë

TË FUNDIT

Krerët e shteteve dhe qeverive arritën kompromis për çështjet kryesore të rendit të ditës në politikën jashtme dhe ranë dakord për sanksione kundër regjimit në Bjellorusi, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Pas disa javësh bisedimesh, liderët e BE-së ranë dakord herët në mëngjes që të miratohen sanksione për rreth 40 persona të identifikuar si përgjegjës për mashtrimet zgjedhore dhe shtypjen ndaj protestuesve në Bjellorusi.

Kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel, deklaroi se prej sot fillon procedura zyrtare për miratimin e sanksioneve, por në listë nuk ndodhet presidenti i paligjshëm i Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko.

Liderët përsëritën se zgjedhjet e 9 gushtit dhe rezultatet e zgjedhjeve në vend nuk njihen dhe u bënë thirrje autoriteteve të zhvillojnë zgjedhje të reja nën monitorimin e organizatave ndërkombëtare përkatëse dhe pa ndërhyrje nga forcat e jashtme. Në përfundimet edhe një herë i bëhet thirrje qeverisë së Minskut për të hapur dialog me protestuesit dhe liderët e partive të opozitës.

Deri dje, vendimi për sanksione kundër regjimit Bjellorus ishte i bllokuar nga Qiproja, e cila ishte e pakënaqur që BE-ja nuk po vendosë masa kufizuese kundër Ankarasë për shkak të incidenteve në Mesdheun Lindor.

Takimi i djeshëm i udhëheqësve arriti ta zhbllokojë këtë ngecje.

Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së ranë dakord që duhet të mbetet pak kohë para se të vendosen sanksionet dhe se duhet të ketë një shans për dialog midis Athinës dhe Ankarasë.

Turqia në fund të këtij viti do t’i qetësojë tensionet në rajon, përndryshe ajo do të sanksionohet, qëndron në përfundimet e samitit.

Presidenti francez, Emanuel Makron, pas seancës deklaroi se Turqisë iu dha një zgjidhje nëse do të dërgojë sinjale pozitive gjatë javës së ardhshme, ndërsa kryetari i Këshillit Evropian me një ton më të matur tha se kishte shans për dialog dhe stabilitet, duke qëndruar i vendosur për Parimet dhe vlerat e BE-së si dhe në solidaritet të plotë me Qipron dhe Greqinë.

Nëse Ankaraja përsëri vazhdon drejt masave të njëanshme ose provokimeve ndaj një anëtari të BE-së, të gjitha mjetet e mundshme ligjore do të mobilizohen, paralajmëroi BE.

Në fushën e politikës së jashtme, liderët e BE-së gjithashtu iu referuan konfliktit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe bënë thirrje për armëpushim të menjëhershëm, negociata midis të dyja palëve pa ndërhyrje nga forcat e jashtme.