Ministri me premtime të njëjta, “Programi për ambient jetësor i mirë vetëm në letër”

TË FUNDIT

Për ndotjen, shpëtimin e ambientit jetësor dhe ekologjinë e cila çdo ditë e më shumë është rreth nesh, ministri na shpjegoi në tre gjuhë. Premtoi se për një vit do të mësojë të flasë bukur gjuhën maqedonase. Kështu vijoi edhe konferenca për media, përkatësisht pyetjet e gazetarëve, të cilave ministri në vend të gjuhës shqipe apo maqedonase, përgjigjej në gjuhën angleze, e më pas vijonte përkthimi.

Shqip flisni në mënyrë modeste, në gjuhën maqedonase pothuajse fare. A planifikoni ende konferenca për media në gjuhë që nuk është zyrtare?

-Ju faleminderit për pyetjen. Ju kuptoj shumë mirë, mund të shprehem shumë mirë nëse doni të dini, do mësoj dalë ngadalë, është obligim për mua. Shqip nuk është keq të dini, me siguri nuk flisni shqip, gjuha shqipe nuk është e keqe. Do të flas në të ardhmen edhe në gjuhën maqedonase dhe do tu përgjigjem edhe në gjuhën maqedonase sigurisht,- Naser Nuredini, ministër i Ambientit Jetësor.

Në paraqitjen e tij të parë si ministër pothuajse me të njëjta premtime. Përballja me ndotjen e ajrit, mbeturinat dhe ujërat e zeza, si dhe mbrojtja e natyrës janë prioritetet e njëjta në të cilat do të punojë ministri në katër vitet e ardhshme.

Për OJQ, që kujdesen për ambientin jetësor, premtimet janë të bukura vetëm në letër, ndërsa në praktikë pothuajse edhe nuk realizohen. Nga Eko Svest thonë se programi është i mirë, por për implementim ende është e pranishme frika.

Kështu në letër, pasqyra e përgjithshme është e mirë, por duke i ditur problemet brenda, ky është vlerësimi, se në letër është mirë, për implementim kemi frikë dhe duhet të ketë harmonizim me dokumentet, strategjitë aktuale që i kemi si shtet. Përmendin ekonomi të gjelbër në program, por disi nuk është e shpjeguar mirë. D.m.th. përsëri diçka mungon. Nëse i mbështesin kompanitë, biznes sektorin me subvencione nga paratë shtetërore, në rast të tillë duhet t’i kushtëzojnë me masa për mbrojtje të mjedisit jetësor, uljen e ndotjes së ajrit,- Ana Çolloviq, Eko Svest.

Në lidhje me angazhimin për mbrojtjen e pasurive natyrore, nga Eko Svest thonë se edhe përkundër draft ligjit të publikuar për shpalljen e një pjese të Malit Sharr si park Nacional, ekziston rreziku që ata që kanë koncesion të ndërtojnë dhe të rrënojnë pjesë që duhet të jenë nën mbrojtje. Nuredini pas një viti e tri muajve në kolltukun e ministrit, përsëri me premtimin se do të frymojmë ajër të pastër, me atë që në vjeshtë do të përforcojë kontrollet e inspektorëve, policisë dhe vetëqeverisjes lokale.