KH “VARDAR” PRITET SI KAMPION NË SHKUP, TRAJANOVSKI: “NUK DUHET TË FESTOHET ME GJUHË TË URREJTJES”

359
0
SHPËRNDAJE

Klubi i Hendbollit “Vardari” sjell trofeun e kampionit të Evropës në Shkup. Në sheshin qendror të kryeqytetit iu është organizuar një pritje madhështorë heronjve të hendbollit, të cilët fituan garën më të fortë të Ligës së Kampionëve. Dhjetëra mijëra qytetarë vërshuan sheshin, të cilët me brohoritje e flamuj të klubit në duar pritën kampionët e hendbollit.

“Kjo është e arritura më e madhe që ekziston deri më tani për Maqedoninë. Këtu nuk ka nacionalizëm, kanë ardhur maqedonas, shqiptar, turq e romë për të festuar, ne njihemi  me këta njerëz që këtu jetojnë çdo ditë”, tha Bllagoja Georgievski, qytetar.

“Gjuhë të urrejtjes përdorin vetëm ata që urrejnë vetveten, kurse ne të gjithë i duam dhe i respektojmë. Ashtu siç i duam anëtarët e familjes ashtu i duam edhe të tjerët, kurse ata që kanë urrejtje nuk do të kenë ardhmëri për të vete e as për të tjerët”, tha Nikolla Pavlov, qytetar.

Përveç entuziazmit për t’i takuar heronjtë e tyre, pritja u bë e gjatë në temperatura të larta, të cilat shkaktuan edhe alivanosje të disa personave, ndërsa pati edhe ndërhyrje të ndihmës së shpejtë.

Para fillimit të evenimentit, i cili u organizua nga Qyteti i Shkupit, një kamion i këtij institucioni ngeci mbi fontanën tokësore, një pjesë e së cilës u shkatërrua. Iu desh të intervenonte shërbimi i zjarrfikësve për të hequr kamionin, kurse gërmadha u mbulua me dërrasa.

“Një kamion ra në fontanë dhe duhej patjetër të intervenohej për ta nxjerrë. Jo raste të tilla nuk ka pasur më herët”, u shpreh Zvonko Tomeski, Komandant i Zjarrfikësve të Shkupit.

Pas aterrimit në Aeroportin Aleksandri i Madh, ekipi i KH Vardarit u shoqërua deri tek sheshi Maqedonia ku priteshin për të festuar së bashku kupën e titullit kampion. U ngjitën në skenë njëri pas tjetrit duke shprehur emocionet e tyre. (Atmosferë të lojtarëve) Një tifoz i kamotshëm i këtij ekipi ka një porosi për rininë.

“Ta ndjekin rrugën e sportdashësve dhe të bëjnë tifo për Vardarin. Ky klub është i shenjtë për të gjithë, pasuria e Maqedonisë që i mban njerëzit të tubuar. Këtu nuk ka ndikime politike, sporti duhet të jetë mbi të gjitha”, tha Lupço DImovski, qytetar.

Dy ditë më parë gjatë festimit të tifozëve “Komiti” u bënë edhe thirrje nacionaliste, por kryetari i Qytetit të Shkupit doli kundër kësaj dukurie vetëm kur u pyetën nga ekipi i TV21 se a e gjykon gjuhën e urrejtjes.

“Plotësisht e dënoj gjuhën e urrejtjes, jo vetëm gjatë festimeve por edhe gjatë secilit tubim. Nuk guxojnë të përdorin gjuhë të urrejtjes as në aspektin politik e as në atë etnik. Mirësia duhet të fitoj, me të mirë shkohet përpara”, tha Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.

Ky është titulli i parë i fituar nga një ekip vendas në Ligën e Kampionëve në kategorinë e meshkujve në hendboll. 15 vjet më parë titullin kampion të Evropës në hendboll në kategorinë e femrave e fitoi ekip Kometal Gjorçe Petrov.

Përgatiti: Adnan Qaili

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU