BE-ja thotë se është e informuar për agjendën e takimit të sotëm në Shtëpinë e Bardhë

TË FUNDIT

Bashkimi Evropian është njoftuar nga administrata e Shteteve të Bashkuara rreth agjendës së takimit mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, dhe kjo është e zakonshme në bashkëpunimin e partnerëve.

Kështu ka thënë më 4 shtator në Bruksel, në një konferencë për gazetarë, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano kur është pyetur për të komentuar takimet që po zhvillohen në Uashington.

Ai nuk ka dashur të deklarohet rreth temave dhe se a është kërkuar apo jo në atë takim njohja e ndërsjellët. Por, BE-ja edhe këto takime i sheh vetëm si “plotësim” të përpjekjeve për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, korniza kryesore e së cilave, sipas BE-së, është dialogut i Brukselit.

“Gjithë kohën kemi thënë se është e mirëseardhur secila përpjekje e cila lehtëson normalizimin e raporteve” ka thënë Stano, duke paralajmëruar se gjatë kësaj fundjave dhe të hënën do të ketë takime në nivele të ndryshme edhe në Bruksel në kuadër të dialogut.

Ky zëdhënës i BE-së ka thënë se pritjet janë që të shfrytëzohet ky moment pozitiv për t’u afruar drejt marrëveshjes finale e cila do të duhej të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura dhe do të ishte ligjërisht obligues. Sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan, Donald Trump, takohet të premten në mëngjes me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një ceremoni nënshkrimi me ta, si edhe në një takim trepalësh, transmeton Zëri i Amerikës.

Njoftimi i së enjtes në mbrëmje i Shtëpisë së Bardhë nuk e përcakton se çfarë do të nënshkruhet, nëse bëhet fjalë për një marrëveshje, dhe nuk është e qartë se çfarë do të përmbajë ajo.

Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë njëra nga pikat në takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë të enjten.

Vuçiq tha se “nuk ka dyshim se sot dhe sonte njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë temë, sepse unë e kam bërë të qartë se nuk mund ta pranojmë atë“.

Nikoqirë të këtij takimi, që u paralajmërua se në fokus ka bashkëpunimin ekonomik, ishin këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Pas takimit, këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, tha se në Uashington, u zhvilluan bisedime “shumë të mira” ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë dhe paralajmëroi vazhdimin e bisedimeve edhe gjatë së premtes.

“Bisedime shumë të mira këtë pasdite me liderët e Kosovës dhe Serbisë. Ata bënë përparim të vërtetë. Normalizimi ekonomik nënkupton vende pune për të rinjtë. Bisedimet do të vazhdojnë nesër”, thuhet në postimin në Twitter të Këshillit për Siguri Kombëtare.