(VIDEO) MUNGESË INFORMIMI PËR ERASMUS PLUS

1545
0
SHPËRNDAJE

Tea Georgieva është një nga shumë studentët e Maqedonisë që kanë përfituar nga beneficionet e programit të BE-së Erasmus plus. Ajo studion marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare  dhe verën shkuar e ka kaluar në Portugali, duke punuar në një organizatë joqeveritare. Georgieva thotë se kjo i ka ndihmuar asaj që ti vënë në praktikë njohuritë që ka marrë në fakultet, ndërsa thekson se për programin Erasmus plus ka nevojë për informim më të madh të të rinjve.

“Mendoj se është një rast i shkëlqyeshëm për të rinjtë që teorinë që e mësojnë në fakultet, ta vënë në praktikë. Mendojë se është një rast i mirë që duhet të përdoret por që shumë studentë nuk janë të informuar për mundësitë që i ofron programi Erasmus, do ti kisha këshilluar që të drejtohet tek fakulteti i tyre që të informohen më shumë rreth benefitet e këtij programi”, tha ajo.

Edhe zëvendëskryeministri për çështje Evropiane, Arbër Ademi thekson se ka mungesë informimi tek të rinjtë e vendit në lidhe me benefitet e programit Erasmus plus. Pavarësisht kësaj, ai theksoi se vitin e kaluar ky program ka shpenzuar 5 milion euro në projekte në Maqedoni.

“Jo vetëm për programin Erasmus, por edhe për programet tjera të Bashkimit Evropian konsideroj se është e nevojshme të ndërmerret një fushatë informuese për mbarë opinionin, që të përfitojnë nga të gjitha ato aktivitete dhe projekte, mbështetje financiare të cilat jepen në kuadër të programeve të tilla”, tha Ademi. 

Pavarësisht mungesës së informimit, përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Maqedoni, Mauro di Verolli theksoi se Maqedonia është ndër vendet më të avancuara të rajonit por edhe më gjerë, kur bëhet fjalë për implementimin e këtij programi dhe sukseseve në këtë program.

“Mendoj se Maqedonia me sukses ka kuptuar mekanizmin dhe kanë arritur të tërheqin mjete përmes këtij programi. Më shumë se 300 institucione në 3-4 vitet e fundit kanë përfituar nga Erasmus Plus, dhe më shumë se 2000 student kanë përfituar trajnim nëpërmjet këtij programi. Maqedonia dallohet si performuese e mirë në aspektin e implementimit të këtij programi”, tha ai. 

Maqedonia është anëtare e barabartë e këtij programi që deri tani përmes tij ka përfituar rreth 12 milionë euro. Erasmus+ është programi më i ri arsimor i bashkimit Evropian që synon modernizimin e sistemeve arsimore dhe përshtatjen e tyre me nevojat e tregut të punës dhe të  një bote në ndryshim të vazhdueshëm.

Përgatiti: Bajram Memeti

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU