OPTIMIZËM TEK PARTNERËT E ZAEVIT, PARALAJMËROJNË ZGJEDHJE TË SHPEJTË TË KRYEPARLAMENTARIT

500
0
SHPËRNDAJE

Partnerët koalicionues të LSDM-së paralajmërojnë debllokimin e kuvendit dhe kryeparlamentar të ri, por ende nuk po e zbulojnë strategjinë se si do ta realizojnë këtë. Thonë se kryetari i ri i dhomës ligjvënëse do të zgjedhet brenda disa ditëve, përkundër bllokimit të seancës konstituive nga ana e VMRO-DPMNE-së.

“Brenda disa ditëve, mund të pohoj se do të kemi kryetar të ri të Kuvendit, por ju e shihni se VMRO-DPMNE po i bllokon institucionet dhe kuvendin, nuk lejon zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, me qëllim që të mbrohen kriminelët. Megjithatë, kjo ka marrë fund, tani vjen jetë për të gjithë qytetarët në Maqedoni”, u shpreh Enez Ibrahimi, PLT. 

Nga VMRO-DPMNE nuk dëshironin t’i komentonin hapat e paralajmëruara të koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja. Thonë se në Kuvend do të vazhdojnë të kërkojnë përgjigje të reja nga deputetët socialdemokrat dhe shtojnë se atë që LSDM ka ndërmend ta bëjë do të jetë në përgjegjësi të saj.

“Ne mbetemi në debat dhe në pritje të përgjigjeve nga LSDM për atë se çfarë janë marrë vesh për Platformën e Tiranës. Atë që ata do ta bëjnë do të jetë përgjegjësi e tyre. Megjithatë edhe qytetarët, edhe ne si parti politike dhe si politikanë të përgjegjshëm, presim që të veprojnë me racionalizëm dhe në interes të qytetarëve”, tha Liljana Kuzmanovak, VMRO-DPMNE.

Ndërkohë, seanca e 16-të vazhdoi me replika dhe kundër-replika nga ana e deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Fjalën e mori Dragan Danev, por qysh para se ai të paraqitej në foltore, 20 bashkëpartiakë të tij u paraqitën për replikë. Deputetët e LSDM-së e akuzuan Vejanovskin se diskutimin nuk po e orienton drejt pikave të rendit ditor, me çka sipas tyre, ai po e shkel Rregulloren e kuvendit.

Deputetët e partive shqiptare u shprehën se arsyeja e bllokimit të punës së Kuvendit, e me këtë edhe i tërë aparatit shtetëror, është diskutimi i zbrazët i deputetëve të VMRO-DPMNE-së, e jo Deklarata e Përbashkët e partive shqiptare.

Në rend të ditës janë dy pika: zgjedhja e Komisionit për zgjedhje dhe emërim dhe kryetari i ri i Kuvendit. Kanë mbetur edhe 40 deputetë të VMRO-DPMNE-së që janë paraqitur për diskutim.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU