DY INICIATIVA DERI TE GJYKATA KUSHTETUESE, KRYETARËT E KOMUNAVE DËSHIROJNË TË QËNDROJNË NË KARRIGE

444
0
SHPËRNDAJE

Mandati i kryetarëve të komunave skadon për më pak se një muaj, ndërsa në Gjykatën Kushtetuese kërkohet vazhdimi i mandateve. Dy iniciativat e dorëzuara deri te organi më i lartë gjyqësor në vend kërkojnë heqjen e dy neneve të Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe të Kodit zgjedhor.  Me këtë, funksionarëve lokalë u mundësohet të qëndrojnë në karriget e tyre deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale. Në bisedë telefonike për TV21, ministrja e vetëqeverisjes lokale Shiret Elezi theksoi se një hap i tillë është i domosdoshëm sepse, në të kundërtën, do të bllokoheshin shumë procese në nivel lokal.

 

“Ligjvënësi me siguri duhet të parashikojë rrethana të caktuara apo të jashtëzakonshme, në mënyrë që një situatë e këtillë e papërshtatshme të mos përsëritet dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale të funksionojnë pa pengesa si dhe qytetarët të mund t’i shfrytëzojnë shërbimet komunale që u garantohen me Kushtetutë dhe me ligje”, tha Shiret Elezi, Ministre e Vetëqeverisjes lokale.

Iniciativa e dytë e lidhur me të njëjtën çështje është dorëzuar nga Kongresi Botëror Maqedonas, prej nga thonë se për shkak të krizës politike, deputetët nuk i kanë përmbushur obligimet kushtetuese dhe ligjore dhe e kanë suspenduar pushtetin lokal.

“Ky është pushteti i katërt më i rëndësishëm në Maqedoni, ndërsa Kuvendi për fat të keq nuk i ka përmbushur obligimet e parashikuara në Kushtetutë dhe në ligje, që pushteti lokal të funksionojë në mënyrë të papenguar.  Kuvendi është dashur të bëjë shpalljen e zgjedhjeve dhe ato të mbahen në pjesën e parë të muajit maj”, tha Todor Petrov, Kongresi botëror Maqedonas.

Nga Gjykata Kushtetuese vetëm konfirmuan se në adresë të tyre kanë mbërritur dy iniciativa që kanë të bëjnë me heqjen e dy neneve të ligjit për vetëqeverisje lokale dhe të Kodit zgjedhor.

Shërbimet në Gjykatën Kushtetuese informojnë se iniciativat kanë mbërritur dhe po shqyrtohen. Megjithatë, nuk ka përgjigje për atë se kur të njëjtat do të vihen në votim.

Autoriteteve lokale, mandati u skadon më 15 maj, pas çka vendi mbetet pa vetëqeverisje lokale. Afati i fundit për shpalljen e zgjedhjeve lokale nga ana e Kuvendit, skadoi më 6 mars, si pasojë e krizës politike. Me këtë u hapën shumë çështje se në çfarë mënyrë duhet të gjendet zgjidhje, por që e njëjta të mos jetë në kurriz të qytetarëve.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU