PPS KËRKON HYRJE ALTERNATIVE NË TELEKOM, PRITEN TAKIME ME PËRFAQËSUES NGA GJERMANIA

440
0
SHPËRNDAJE

PPS-ja gjatë javës së ardhshme do të ketë takime me anëtarët e bordit të Dojçe Telekom, kompania që ka një pjesë të pronësisë të Telekomit të Maqedonisë. Këtë informacion për TV21 e konfirmuan nga PPS-ja, të cilët nuk dhanë më shumë detaje se kush janë gjermanët me të cilët do të takohen, ndërsa mbledhja do të mbahet para festave të muajit maj. Takimi me kërkesë të PPS-së vjen pasi që katër herë nuk arritën të sigurojnë vendim nga Gjykata për të kryer kontrolle në Telekomin e Maqedonisë, në suaza të dy pistave të hetimeve. Avokati Zvonko Davidoviq vlerëson se është në interes të përbashkët të dihet se cilët qytetarë janë përgjuar dhe nëse për ato përgjime ka pasur urdhër nga Gjykata.

“Në këtë mënyrë, një herë e për gjithmonë, do të zbulohet e vërteta se kush ka përgjuar. A ka përgjuar DSK-ja, a ka pasur urdhër apo jo, dhe a ka vazhduar përgjimi pasi kanë skaduar urdhrat nga Gjykata. Kjo është shumë e rëndësishme që të ndërmerren masa për të ndaluar veprime të këtilla në të ardhmen”, tha Zvonko Davidoviq, Avokat.

Sipas ish-prokurorit, Jovan Trpenovski, PPS-ja duhet të gjejë një zgjidhje alternative që të hyjë në Telekomin e Maqedonisë, për shkak se nga gjykata nuk mund të sigurojë urdhër për hyrje për kryerjen e kontrollit.

“Me këtë që bëri PPS-ja, siguron provë që ekziston baza për dyshim nga ku është kryer përgjimi, kush janë aktorët të cilët kanë marrë pjesë në përgjimin dhe kush ka dhënë urdhër nga Gjykata. Prej kësaj varet edhe përcaktimi i PPS-së se në cilin drejtim do ta drejtojë procedurën”, tha Jovan Trpenovski, Ish-Prokuror shtetëror publik.

Sipas provave materiale që janë në duart e prokurorëve të PPS-së në periudhë prej vitit 2008 deri në vitin 2015,në mënyrë jo të ligjshme janë përgjuar më shumë se 4200 numra telefonike, për të cilët nuk ka pasur urdhër nga Gjykata, ndërsa 1500 numra kanë vazhduar të përgjohen edhe pas skadimit të urdhrit nga Gjykata.

Përgatiti: Antonio Krstevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU