10 MINUTA – “BILDT NË SHKUP: RESPEKTONI KUSHTETUTËN”

430
0
SHPËRNDAJE

Ish-ministri i jashtëm suedez, Karl Bildt erdhi në Shkup, por në cilësinë e kryesuesit të Institutit të Analizave të Këshillit Evropian për Politika të Jashtme. Ai tha se ka ardhur në Shkup për të vlerësuar situatën aktuale, por duke dëgjuar secilën palë.

Porosia e tij ishte se në çdo shtet demokratik ekziston Kushtetuta e cila duhet të respektohet.

“Nuk mund të sjell një përfundim pasi që kam akoma shumë njerëz për t’i takuar. Duam të dëgjojmë çdonjërin. Por dua të them që ju kishit zgjedhje, keni Kushtetutën si çdo shtet evropian. Ndonjëherë mund të ketë probleme, por ndjekeni Kushtetutën dhe praktikat demokratike. Kjo është mënyra e vetme se si zgjidhen problemet në demokracinë Evropiane. Maqedonia udhëhiqet nga maqedonasit por unë e di që Maqedonia dëshiron të bëhet anëtarë e BE-së dhe dëshiron të kalojë në shkallën tjetër të procesit. Unë personalisht kam pasur mbështetje të madhe ndër vite. Jam i njoftuar me çështjen e njohur të emrit por edhe çështjet tjera si standardet demokratike. Kjo është e tëra nëse dëshironi të jeni pjesë e BE-së”, u shpreh Karl Bild, Ish-Ministër i jashtëm Suedez.

Ai tha se këtu nuk është me mision zyrtar, por në kuadër të organizatës panevropiane, që të mbledh informata që t’u transmeton liderëve evropian. Në agjendën e tij ishin takimet me krerët e LSDM, VMRO-DPMNE, BDI dhe Lëvizja BESA.

Nga LSDM pas takimit me Bildt kanë dalur me një komunikatë për mediat, duke theksuar se bashkërisht është konstatuar se proceset demokratike janë të patjetërsueshme për përparim të Republikës së Maqedonisë dhe se patjetër duhet të respektohet Kushtetua dhe ligjet nga ana e të gjitha partive politike dhe institucioneve të shtetit.

“Shumica parlamentare do ta merr detyrën që ta zhbllokojë procesin demokratik në Parlament në bazë të Rregullores, Kushtetutës dhe ligjeve. Do të zgjidhet shpejtë kryetari i Kuvendit, ndërkaq më pas edhe Qeveria e re reformuese. Ky është vendim i shumicës së qytetarëve, e shprehur në zgjedhjet parlamentare dhe institucionet në shtet janë të obliguara të sigurojnë transferim të qetë të pushtetit”, nga LSDM.

LSDM siç bën të ditur se ka theksuar se nxitja e tensioneve dhe dhunës është e palejueshme, kundër Kushtetutës dhe është vepër e cila u bën dëm interesave shtetërore dhe se çdokush që do të bëjë kësi lloj aktiviteti do të bartë përgjegjësi, thekson kjo parti, duke nënvizuar edhe rreziqet që vijnë nga bllokimi I Kuvendit dhe shtyrja e zgjedhjeve lokale.

Diplomati suedez më pas ka shkuar në Reçicë të Vogël ku ka takuar kreun  e BDI-së, Ali Ahmeti .Ky I fundit tha se ka dëgjuar Bildtin për vlerësimet e tij për situatën pasi që bëhet fjalë për një politikanë me përvojë. Ahmeti tha se theksi I veçantë I takimit ka qenë që të gjithë liderët të sillen me përgjegjësi.

Bildt ka takuar edhe kreun e VMRO-DPMNE, por më pas edhe të Lëvizjes BESA.

Në agjendën e vizitës përmendej edhe takimi me presidentin Ivanov, por nga kabineti I tij theksuan se presidenti ka pasur agjendë tjetër, dhe nuk mund të takojë ish-diplomatin suedez.

Por edhe Bildt i është përgjigjur Ivanovit.

“Isha i vetëdijshëm se nuk do të takohem me presidentin Ivanov por më e rëndësishme ishte që të takohem me përfaqësues të partive politike jo me presidentin duke marrë parasysh faktin se nuk u takuam unë nuk jam i njoftuar as me qëndrimet e tij”, shtoi Bild.

Ai edhe para mbërritjes  në Shkup, dje kishte shpërndarë një porosi përmes tuiter duke shkruar: “Nuk duket fundi i krizës kushtetuese në Shkup. Hendeqet duken ende më të thella. Situatë e vështirë”. Bild përveç si ish-kryeministër dhe ish-ministër i jashtëm suedez, është i njohur edhe si deputet special i BE-së për ish Jugosllavinë, përfaqësues i Bashkimit Evropian për Bosnje dhe Hercegovinën dhe deputet special në OKB për Ballkanin.

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU