IVANOV PËR GAZETËN AUSTRIAKE “VINER CAJTUNG”: “KOALICIONI VMRO-BDI NË MOMENT TË FUNDIT U PRISH”

452
0
SHPËRNDAJE

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në intervistën për gazetën ditore austriake “Viner Cajtung” deklaroi që në aspektin juridik është e pamundshme që të formohet Qeveri pa mandat të caktuar. Sipas tij, një Qeveri e tillë do të ishte jolegjitime nga presidenti, gjegjësisht pa bazë institucionale. Ivanov në intervistë tha që  VMRO-DPMNE nuk arriti të koalicionojë me partitë shqiptare, në afatin e paraparë prej 20 ditëve, në pajtim me Kushtetutën. “Të jem më preciz, koalicioni gjegjësisht ishte i dakorduar. Por, në orën e fundit pati thirrje telefonike dhe koalicioni u prish. Pyetjes se “kush ishte thirësi”, Ivanov u përgjigj: “Ju jeni gazetarë. Ju mund ta hulumtoni këtë”. I pyetur se çfarë do të ndodh nëse zgjidhet kryetari i Kuvendit, ndërsa lideri i LSDM-së përsëri dakordohet me partitë shqiptare dhe dëshiron të konstituojë Qeveri, Ivanov me qëndrimin se koalicionit të tillë nuk do t’ia japë mandatin.

“Një gjë e tillë është vetëm dëshirë. Juridikisht është e paqëndrueshme. Qeveria e tillë nuk do të ketë legjitimitet. Kjo është theksuar qartë në kushtetutën tonë. Në pajtim me nenin 90 të Kushtetutës, vetëm presidenti i shtetit mund ta përcaktojë mandatin për konstituimin e Qeverisë. Në këtë rast do të kishte dy qeveri. Ajo aktuale, e cila është qeveri teknike, dhe qeveria e cila është pa legjitimitetin e presidentit”, theksoi Gjorgje Ivanov, President i R. Maqedonisë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU