BB: EKONOMIA KEQ E MË KEQ, MAQEDONIA NË “LISTËN E ZEZË” TË INVESTITORËVE TË HUAJ

597
0
SHPËRNDAJE

Dalin argat çdo mëngjes tek ura e Bit pazarit. Rreth 20 burra të papunë dita-ditës presin për punë krahu për të siguruar kafshatën e gojës. Hazbiu rreth të 40-ve, thotë se do të ishte me fat nëse gjatë muajit punon 10 ditë argat. Ai thotë se ndihma sociale prej 1.900 denarësh nuk i mjafton për të mbajt familjen.

“Dalim prej ora 6 e mëngjesit, me gjete punë, rrimë deri nga ora 3. Prej 20 vjetësh pa punë, ndihmë sociale na kanë dhënë 4.000 denarë, tash i marr 1.900 denarë. Këndej thonë se qeveria po punëson, por na gënjejnë se të gjithë punësohen me të njohshëm. Kurse, për neve siç po na sheh, ku ka edhe shumë të rinj, nuk ndërmerr masa askush”, u shpreh Hazbi Aliu, qytetar.

Për gjendjen e rëndë sociale dhe mungesën e zhvillimit ekonomik flet edhe raporti i Bankës Botërore. Sipas raportit, niveli i papunësisë në Maqedoni është ende i lartë ose 23,7% e fuqisë punëtore, ndërsa shumica e vendeve të reja të punës janë krijuar përmes programeve shtetërore të stimulimit fiskal.

“Posaçërisht përmes projektit “Maqedonia Punëson”, i cili ka implikime fiskale, duke pasur para sysh që këto vende të punës janë të liruar nga pagesa e kontributeve sociale dhe tatimeve personal në periudhën 3-5 vjeçare. Kjo kategori punësimesh, përmes stimulit fiskal arrin neto deri në 80% e krijimit të vendeve të reja të punës gjatë një viti”, tha Bojan Shimbov, Ekonomist i BB në Shkup.

Investitorët e huaj e kanë futur në “listën e zezë” Maqedoninë, thuhet ndër tjerash në raport, shkaku krizës politike dhe pasigurisë së klimës së biznesit. (Atmosferë…)

E shqetësimin për pasigurinë në planin politik e shpreh edhe drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Ellen Goldstein.

“Me situatën e pasigurte të zhvillimeve politike që po ndodh tani në vend, shteti duhet të intervenoj, sepse sektori privat është në pritje. Të gjithë e dini se askush nuk do të investoj në një vend me rrezikshmëri të lartë, siç është Maqedonia”, tha Ellen Goldstein, Drejtoresh e BB për Ballkanin Perëndimor.

Banka Botërore në raportin pranveror parashikon se nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Maqedonia këtë vit radhitet në vend të fundit me rritje prej 2,8 për qind.  Kjo rritje, sipas këtij institucioni, do të jetë vetëm nëse në pjesën e parë të vitit do të zgjidhet kriza politike. Edhe vitin e kaluar ka qenë trend i njejtë me rritje ekonomike prej 2,4 për qind, duke qenë e fundit, vetëm para Malit të Zi, e kjo ka ndodhur për shkak të rënies së investimeve, për shkak të krizës politike.

Si arsye tjetër që ka ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik nga Banka Botërore është nënvizuar edhe raporti i testimit PISA, sa i përket shkrim-leximit, ku Maqedonia radhitet në pozitën e 68 nga gjithsejt 70 shtete.  Sipas raportit, 2/3 e të rinjve të moshës 15 vjeçare kanë vështirësi me leximin, kuptimin, matematikën dhe shkencat natyrore.  Këta të rinj gjatë konkurrimit në tregun e punës, do të mund të punësohen para se gjithash në sektorin publik pasi këtu bëjnë pjesë numri më i madh i punësimeve të subvencionuara nga qeveria, thuhet në raportin e Bankës Botërore për përparimin e Maqedonisë në vitin 2016.  Sipas Bankës Botërore, Maqedonia duhet menjëherë të zbatojë reforma sistematike për të pasur zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Përgatiti: Adnan Qaili

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU