Urime nga Ciprasi për Zaevin për fitoren në zgjedhje

TË FUNDIT

Falë përpjekjeve tua, porosia e forcave progresive u bë edhe më e fuqishme, thotë ish kryeministri grek dhe lider i SYRIZA-s, Aleksis Cipras, në urimin, përmes “Tuiterit” për Zoran Zaevin, përderisa nga sektori për çështje ndërkombëtare dhe evropiane në partinë opozitare greke, komentojnë se fitorja e LSDM-së është “edhe një porosi optimiste për të ardhmen e rajonit”, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Ciprasi e uroi Zaevin përmes “Tuiterit”, përderisa nga SYRIZA, përmes një kumtese e komentuan fitoren e LSDM-së.

“Urime Zoran Zaev. Falë përpjekjeve tua, porosia e forcave të guximshme progresive të cilat luftojnë kundër nacionalizmit, për drejtësi shoqërore dhe paqe në rajonin tonë, sot u bë edhe më e fuqishme. Porosi jo vetëm për Ballkanin, por për gjithë Evropën”, shkroi ish kryeministri grek dhe lider i SYRIZA-s Aleksis Cipras në “Tuiter”.

“Fitorja e Partisë Socialdemokrate të Zoran Zaevit në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut është edhe një porosi optimiste për të ardhmen e rajonit më të gjerë, pas asaj nga Marrëveshja historike e Prespës. Përfaqëson fitore të progresit, paqes, bashkëpunimit dhe pajtimit, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Ballkan në tërësi”, thonë nga SYRIZA.