62-vjeçari dhuroi plazmë për të sëmurët! “Të gjithë duhet të luftojmë me virusin Covid-19”

TË FUNDIT

Edhe një vit pensionohet si teknik medicinal në Spitalin e Kumanovës.

62-vjeçari Ismail Alili, lufton vitet me punë. Përveç se kujdesët për pulat, ruan edhe lepuj dhe pëllumba.

“Kam edhe lepur dhe pëllumb. Bashkë qëndrojnë të dy”

Pak ditë më parë dhuroi plazmë për të shëruar personat me Kovid-19, kurse po punon edhe në bahçen në shtëpinë e tij në Sllupçan.

Ismail Alili, teknik medicinal:
TV21: A nuk të dhemb dora kur po e shtrëngon?
-“Jo, jo. Normal është, sikur nuk kam asgjë. Unë edhe më herët kam dhënë gjak. Sikur ju tregova, kam dhënë 12 herë, kjo është e 13 herë”.
TV21: Që e punon tokën a të ka ndihmuar me pas shëndet ma të mirë?
-“Po, normal. Këtu ajri i pastër. Unë kam edhe banesë në Kumanovë. Bijtë jetojnë atje, por mu më vjen ma mirë këtu në fshat. Ajri pastër, po punojmë diçka. Edhe ushqimi, uji i pastër. Ushqimin e marrim nga bahçja, pemë, mishi gjithashtu është nga pulat që i ruajmë”.

Për 40 vjet ka punuar dy punë, por nuk ndjehet i lodhur. Thotë se puna e ka bërë të fortë dhe me shëndet të mirë. Të njëjtën porosit që ta bëjnë edhe të rinjtë.

“Ju kisha thanë të rinjve me punu edhe tokën edhe të mësojnë ne shkollë. Mundet edhe në shkollë edhe në tokë. Munden të gjitha. Kur janë të lirë, mundet. Ka kohë edhe me mësu, mu shkollu edhe për me punu. Fshati jonë punon prej bujqësie, por të rinjtë nuk po duan. Mirë është me punu ka pak. Prej 2001 kam punu në Kumanovë, por vija këtu edhe punoja tokën.  Kam blerë edhe traktor. Jam bërë gati për pension”, tha Ismail Alili, teknik medicinal.

Përveç axhës Ismail plazmë kishin dashur të japin edhe 22 punëtorë të tjerë të Spitalit të Kumanovës që kanë qenë të infektuar paraprakisht.  Por para se të dhurojnë, ata kanë bërë sërish test për Kovid-19.

“Të gjithë personat që dhurojnë plazmë, paraprakisht testohen te ne dhe nëse rezultojnë negativ, atëherë mund të dhurojnë plazmë”, tha Arif Latifi, drejtor i QSHP-së.

Axha Ismail ka dalë negativ, ka dhuruar plazmë. Ai bën thirrje që plazmë të dhurojnë edhe të tjerët, sepse  duke ndihmuar të gjithë mund të luftohet Kovid-19.

“Duhet me ndihmu. Kjo nuk është diçka që të frikësohemi dhe të thonë se s’ka mundësi të japin gjak. Jo, ka mundësi. I bëjnë analizat. Ata s’marrin gjak pa i bërë analizat. I bëjnë analizat, nëse je i shëndetshëm, ke ndonjë problem, ka nevojë me dhanë gjak. Ka nevojë pacientëve me ju ndihmu. Na duhet me luftu kundër Pandemisë”, tha Ismail Alili, teknik medicinal.

Në vendin tonë nuk ka interesim të madh për të dhuruar plazmë, pasi deri tash janë siguruar vetëm 31 njësi plazme kovaleshente. Prej tyre, 15 njësi plazme janë siguruar në formën siç ka dhuruar axha Ismail. Me një njësi plazme mund të shërohet një pacient nga Kovid-19.