(VIDEO) MOGHERINI RAPORTON TEK SHEFAT E DIPLOMACISË, “MAQEDONIA E TENSIONUAR, I DUHET NJË MBËSHTETJE E FORTË”

2222
0
SHPËRNDAJE

“Të gjithë liderët politik, dhe të gjithë ata që kanë përgjegjësi institucionale, kanë për detyrë që të përmbahen dhe ulin retorikën. Të shmanget situata që kjo krizë politikë institucionale, mos të bëhet një konflikt ndëretnik, apo edhe më keq një konflikt gjeopolitik.”

Me këtë porosi përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri e BE-së, Federika Mogerini të enjten e kaluar u largua nga Shkupi, pas turneut ballkanik, ndërsa të njëjtën e raportoi para 28 ministrave të jashtëm të BE-së në takimin në Bruksel ku po diskutohet për situatën në Ballkanin Perëndimor. Ajo para takimit përmendi se ky rajon është i përfshirë me tensione.

“Do t’i informoj për situatën, e cila është e mbushur me tensione. Dhe, e cila është e ekspozuar ndaj sfidave të brendshme, rajonale dhe atyre globale. Por, ky është një rajon që ka kapacitetin dhe forcën për të reaguar dhe për të ndaluar një gjë të tillë, me kusht që të ekzistoj një proces i besueshëm drejt integrimit evropian, gjë e cila është pjesë e punës sonë. Nga Këshilli i ministrave, por edhe nga kreu i BE-së, pres që të shprehin një mbështetje të qartë dhe të fortë për Ballkanin Perëndimor, me qëllim të perspektivave të besueshme në integrimin evropian”, tha Mogerini.

Shefi i diplomacisë holandeze, Bert Kunders bëri thirrje që të ulen tensionet në Maqedoni dhe të respektohet shumica parlamentare, ndërkaq nga BE kërkoi që të tregojë unitet.

“Vlerësoj se patjetër duhet të ketë respektim të shumicës parlamentare dhe duhet që të theksohet rëndësia e gjërave që të zhvillohen pa agresion verbal në vend. Ajo zgjidhje patjetër duhet të sillet në vetë Maqedoninë. Jemi të hapur për lëvizjen e Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s, por kjo patjetër duhet të zgjidhet me mënyrë paqësore”, tha Kunders. 

Ndërsa, Ministri i Jashtëm hungarez Peter Sijarto tha se nga shefat e diplomacisë së shteteve anëtare të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së do të kërkojë qëndrim për Deklaratën e partive shqiptare dhe përzierjen e një vendi fqinj në punët e brendshme të Maqedonisë.

Simonida Kacarska nga Instituti për politikë evropiane vlerëson se BE së fundi është e përkushtuar tek situata në Ballkanin Perëndimor, pasi që ky rajon ishte lënë në harresë.

“Në kuadër të Këshillit të ministrave, ku është prezantuar raporti, ka pikëpamje të ndryshme se si duhet të zgjidhen problemet në Ballkan. Në njërën anë janë qëndrimet e Hungarisë dhe Austrisë, kurse në kundërshtim të tyre janë qëndrimet e Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar”, tha ajo.

Ndërsa, nga Qendra për strategji evropiane, hulumtuesi Lupço Petkovski thotë se BE shpreh shqetësimin e ngërçit të brendshëm në Maqedoni, që sipas tij, të mos të zgjerohet në krizë gjeopolitike në mes fuqive të mëdha.

“Theksi për krizën u vu në kontekstin gjeopolitik, duke pasur parasysh lojën e rrezikshme që Rusia e luan në Ballkan për të bërë kaos që pastaj të na shfrytëzoj për “qërim hesapesh” të vetat.  Kjo bëhet me qellim që të shpëtohen krerët e shtetit, të cilët frikësohen nga pasojat e veprimeve të tyre këto vjetët e fundit”, tha Petkovski.

Konkluzionet e miratuara të Këshillit për punë të jashtme të BE-së do të jenë bazë për një raport të liderëve të 28 vendeve anëtare për të miratuar për Ballkanin Perëndimor në samitin e 9 dhe 10 marsit në Bruksel.

Përgatiti: Adnan Qaili

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU