(VIDEO) 1,3 MILION EURO PËR LUFTIMIN E KRIMIT EKONOMIK

1073
0
SHPËRNDAJE

Mbi 1,3 milionë euro të Bashkimit Evropian do të jenë në dispozicion të institucioneve të Maqedonisë për forcimin e kapaciteteve për luftën kundër korrupsionit dhe kundër pastrimit të parave. Ky projekt vjen pas vërejtjeve të trupit antikorrupsion të BE-së rreth asaj se sa Maqedonia ballafaqohet me këto probleme. Jaromir Leviçek, shefi i operacioneve nga Delegacioni i BE-së theksoi se për luftën kundër krimit ekonomik nevojiten ligje cilësore, por edhe institucione efikase.

“Rritja e shpejtë e tregjeve mundëson transferim të shpejtë të të hollave, me ç’rast larja e parave bëhet gjithnjë e më e komplikuar. Që të kemi sukses në luftën kundër larjes së parave duhet të bashku të punojmë. Për këtë arsye e fillojmë këtë projekt dhe më tej do t’i mbështesim përpjekjet tuaja në këtë sferë”, tha Leviçek.

Ministri i Financave, Kiril Minoski theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një ndër prioritetet kryesore që Maqedonia e ka vendosur si vend kandidat për anëtarësim në BE.

“Standardet e reviduara ndërkombëtare vendosën kornizë të re për zbatim të masave për pengim të larjes së parave dhe financim të terrorizmit në bazë të vlerësimit të rrezikut. Republika e Maqedonisë është një nga shtetet e para e cila bëri vlerësim të rrezikut nga larja e parave dhe financimi i terrorizmit në nivel kombëtar”, tha Minoski.

Në këtë projekt do të përshihen gjykatës, prokurorë dhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Financave, që do të mësojnë se si të luftojnë korrupsionin, krimin ekonomik dhe pastrimin e parave. Ndërsa, përmes tij sigurohet sistem më i mirë i ndjekjes së financimit edhe të partive politike dhe fushatës zgjedhore. Projekti realizohet në kuadër të një programi të veçantë për Ballkanin Perëndimor dhe Turqisë.

PËRGATITI: ARMEND MURSELI

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU