0

Vrasësi i trefishtë nga fshati Gllumovë i Komunës së Sarajit nuk ka pasur probleme mentale por ka reaguar në moment thotë psikologu Blerim Nebiu. Sipas burimeve që ai vetë posedon, ka kuptuar se personi në të vërtetë nuk ka pasur ndonjë sëmundje mendore para incidentit, kur vrasësi qëlloi për vdekje dy djemtë e vëllait të tij, vëllain e tij, dhe në fund veten, duke lënë të plagosur edhe djalin e tij.

“Sa i përket rastit apo konfliktit, mund të themi se ka ndodhur edhe në të kaluarën raste të këtilla, personi, sipas disa burimeve nuk ka pasur probleme mendore. Thjeshtë mosmarrëveshjet apo kacafytjet familjare kanë eskaluar dhe në gjendje afekti personi nuk është në gjendje të kontrolloj vetveten dhe ndodhi ajo që ndodhi ditën e djeshme. Besoj se çdo njërit mund ti ndodhë kjo gjë”, tha Blerim Nebiu, profesor i psikologjisë.

Një fqinj i vrasësit që vrau dhe veten, i cili insistoi të mbetet anonim, thotë se ka njohur vrasësin dhe sipas tij, ai nuk ka pasur probleme mentale. Ai thotë se origjina e zënkës ka qenë problem pronash.

“Para ca kohe 48 vjeçari S.Sh nga fshati Gllumovë ka pasur një kacafytje me vëllain dhe djemtë e vëllait të tij në lidhje me pronësinë e një prone të patundshme, si rezultat ai ka shkëputur kontakt me vëllain, djemtë e vëllait dhe djalin e tij. Djali i tij  është detyruar të shpërngulet në komunën Gjorgje Petrov 2,  ndërsa për festën e Bajramit, 48 vjeçare ka ardhur për t’u pajtuar me djalin. Për fat të keq aty ka takuar dy djem e vëllait, të cilët ishin në gosti, dhe pas kacafytjeve verbale, ka qëlluar në të tretë, duke vrarë dy djemtë e vëllait, 33 dhe 20 vjeçar dhe duke lënë të plagosur djalin e tij. Pastaj ai është kthyer në fshat ndërsa rrugës ka takuar vëllain i cili ishte me veturë dhe ka shtënë në të, para se të vrasë veten”, tha ai.

Për rastin njoftuan edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, por nga atje nuk morëm përgjigje nëse vrasësi kishte leje për armën që posedonte. Nga MPB thanë se ende po punohet në zbardhjen e plotë të rastit.

Përgatiti: Bajram Memeti

0

Paga mesatare bruto në Maqedoni është  22 672 denarë, që është për 1,4% më e lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Këtë gjë e tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, për periudhën prill 2016 – prill 2017. Statisticienët kanë llogaritur se rritje më të madhe të të ardhurave mujore personale ka në sferën e informatikës dhe komunikimit në të cilat pagat janë rritur për 22%, në sektorin e xehetarisë për 15%, ndërsa në tregtinë me shumicë dhe pakicë pagat janë rritur për 6%. Por qytetarët e Maqedonisë dyshojnë se ky trend në rritje ndjehet edhe në buxhetin shtëpiak. Ata vlerësojnë se çdo muaj u mungojnë së paku 10 mijë denarë për të mbuluar të gjitha nevojat elementare.

“Mendoj se paga prej 25 deri 30 mijë denarë do të ishte e mjaftueshme”

“Për një familje katër anëtarëshe për një muaj nevojiten 1500 euro për shkak se vetëm faturat janë 10 mijë denarë, kështu që këto paga nuk mjaftojnë”.

“Mendoj se 40 mijë denarë pagë do të ishte e mjaftueshme”.

“Më së paku, nevojiten 30 mijë denarë që në mënyrë të modeste të kaloj muaji”.

Lartësinë e pagave e cakton komisioni social – ekonomik i përbërë nga Qeveria, punëdhënësit dhe sindikata. Ata thonë se nuk duhet të shpejtohet me numrat por duhet të bëhet analizë e mirë për kapacitetin e ekonomisë dhe të punohet sipas programit të përgatitur paraprakisht.

“Pritshmëritë janë se do të punohet sipas programit i cili është pjesë e platformës për rritje ekonomike dhe kjo gjë nuk mund të jetë vetëm sipas vullnetit të shoqërisë së biznesit, për shkak se shoqëria në Maqedoni është e përbërë edhe nga kategori të tjera të qytetarëve të cilët janë të përfaqësuar nga grupe të ndryshme të interesit. Mendoj se është e patjetërsueshme të gjendet konsensus. Ne kemi qëndrime të qarta se si duhet të lëviz ekonomia e Maqedonisë me reformat urgjente qeveritare”, thotë Mile Boshkoc, nga konfederata e punëdhënësve. 

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë publikoi se shporta minimale konsumuese për një familje katër anëtarëshe është 32 mijë denarë. Duke e marrë parasysh se paga mesatare është 22 600 denarë, nëse vetëm një anëtar i familjes është i punësuar, kjo do të thotë se mungojnë 9 500 denarë në buxhetin familjar, shumë e cila është e njëjtë me shumën të cilën qytetarët që i anketuam thanë se u mungon.

Llogaritja e sindikatës tregon se të paktën nevojiten 13 mijë denarë në muaj që një familje të blejë ushqim dhe pije, pastaj për pagesën e faturave nevojiten 10 mijë denarë, nga 2 mijë denarë për mjete higjienike, transport dhe veshmbathje, rreth 1 000 denarë për manifestime kulturore ndërsa mbi 500 denarë për mirëmbajtjen e shëndetit.

Partia në pushtet, LSDM, në kampanjën e saj parazgjedhore premtoi rritje të pagës mesatare mujore deri 30 mijë denarë gjatë katër viteve të ardhshme. Gjithashtu premtuan edhe rritjen e pagës minimale prej 10 mijë denarë sa është aktualisht,  në 16 mijë denarë. Në periudhën e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së ata disa herë kanë cekur se për 10 vite qeverisje pagat janë rritur për 9000 denarë. Në vitin 2006 paga mesatare ishte 13.200 ndërsa, deri sa u ndryshua pushteti ajo arriti në 22 400 denarë.

Përgatiti: Ile Petrevski

0

“Të jesh anëtar i LSDM-së, është punë e madhe. Nëse keni problem me ndihmën sociale, si problem më i madh, apo do të kaloni në viza të bardha dhe do t’iu dënoj policia, apo do të ngisni veturën pa regjistrim apo nuk jeni të lidhur, ose nuk i keni dritat të ndezura… Nëse keni problem me dokumente në ndonjë ministri, ose kur të shkoni në mjek dhe ju duhet “njoftsi”, nëse dëshironi të punësoheni në ndonjë ministri, apo iks punë të përditshme, e keni shumë të rëndësishme të keni një dokument të tillë. Ajo do të jetë letërnjoftimi i dytë i juaj”.  

Këtë porosi ja dha deputeti i LSDM-së, Kurto Dudush, qytetarëve rom, të cilët e votuan që të jetë përfaqësues i tyre në kuvend. Kryeministri, Zoran Zaev, u distancua nga fjalët e deputetit, dhe i bëri thirrje që ti tërheq dhe të kërkojë falje.

“Me komentet e deputetit tonë nuk pajtohemi as unë personalisht, as qeveria dhe as shumica parlamentare pajtohemi. Shpresoj se do të kërkojë falje dhe do ti tërheqë, sepse ajo nuk është në interes tonin. Qytetarët duhet të jenë të barabartë para ligjit, dhe për qytetarët është patjetër që ligjet të vlejnë njëlloj, dhe të gjithë të jenë të njëjtë para institucioneve, sepse institucionet ekzistojnë për ta”, tha Zaev.

Por, deputeti nuk mendon që ka bërë diçka për të cilën duhet të kërkojë falje. Për shkak të festave, ai nuk pati mundësi që të jep deklaratë, por në përgjigjen me shkrim thotë… 

“Video materialet nuk janë transmetuar tërësisht, as përkthimi nga gjuha rome në gjuhën maqedonase nuk është në rregull. Asnjë veprim I imi si deputet deri sot e as në të ardhmen nuk do të jetë në drejtim të shtrembërimit të lajmit. Për këtë shkak ju thërras që ta ndiqni punën time dhe në rast se ka dëshmi për çfarëdo pranimi  të librezës partiake përveç se për përcaktim politik, atëherë unë I pari do të kërkoja falje. Por deri atëherë ndjehem moralisht i liruar nga faji për diçka që është nxjerrë nga konteksti dhe që nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë, pasi kjo është praktikë e regjimit kundër të cilit demokratisht kemi luftuar gjatë 11 viteve të fundit”.

Deputeti, Kurto Dudush, nëpërmjet rrjetit social, fejsbuk, porositi, siç i quan ai, “mediat opozitare”, që mos të publikojnë video materiale të cilat janë të montuar, vetëm sa për të publikuar një storje ekskluzive. Ai ju bëri thirrje mediave, që të merren me përmendoret të projektit “Shkupi 2014”, të cilët kanë harxhuar shuma marramendëse të parave të qytetarëve, derisa ato para kanë mundur të përdoren që të strehohen qindra romë që janë në rrugë.

Përgatiti: Furkan Saliu

0

Fëmijët në mes të deponisë, me koritë dhe bazen gome lahen në këto ditë të nxehta. Shumica e tyre nuk shkojnë në shkollë por që nga fëmijëria janë të detyruar të punojnë.

Xhemilja së bashku me shtatë fëmijët e saj tashmë pesë vjet jeton në repartin neurologjik të spitalit të Shtipit. Ajo thotë se fëmijët e saj janë të sëmurë nga zhuga dhe sëmundje të tjera. Xhemilja kërkon nga kryetari i komunës që tu jepet një banesë sociale, pasi që një gjë të tillë ai ua ka premtuar.

“Po e lus si vëlla kryetarin që të bëjë diçka. Këtu më herët kishte edhe injeksione. Këtë të voglin para dy javësh e dërgova në spital por nuk kisha të holla që ta mjekoja”, tha ajo.
Nëntë vjeçarja Maidemedine e ka kryer vetëm klasën e parë. Ajo nuk shkon në shkollë për shkak se fëmijët tjerë e ngacmojë sepse nuk vishet bukur dhe se nuk ka të holla që të blejë bukë.  Por ajo dëshiron që ta vazhdojë shkollimin.

“Dua të shkruaj, të pikturoj. Dua të kem një çantë, rroba të reja, atlete, dua fustan dhe shumë gjëra. Dua të kem kukulla me rroba që të luaj me to në shtëpi, por nuk kam”, u shpreh ajo.

Razije Durmishova është e sëmurë, ka probleme me zemrën. Ajo merr 2000 denarë ndihmë sociale, por të gjithë paratë i shpenzon për barëra.

“Nuk dua të jetoj këtu, por nuk kam ku të shkoj, skam para për qira. Me 2000 denarë jetoj me fëmijët e mijë. Shkoj në konfeksion, ata më thonë se më kanë kaluar vitet, jam 46 vjeçare andaj nuk më pranojnë. Tani mbledh shishe, për 10 ditë mbledh 150-200 denarë”, tha ajo.

Nurije Jasharova, është e sëmurë nga astma dhe bronkiti. Barërat që i blenë kushtojnë më shumë se 2 000 denarë që i merr si ndihmë sociale.

“Unë shkoj për të mbledhur shishe nëpër kontejnerë edhe pse më është thënë se për shkak të  sëmundjes nuk duhet të bëjë një gjë të tillë. Fëmija im shkon në klasë të katërt. Unë shkoj nëpër kontejnerë që t’i sigurojë kafshatën e gojës. Edhe vajza nga shtatori do të shkoj në shkollë. Djali i madh nuk shkon për shkak se punon”, tha ajo.

Shtatë familjet jetojnë në një ndërtesë të braktisur, e cila më herët ka qenë repart i neurologjisë në spitalin e Shtipit, me vendim të komunës së Shtipit. Në bisedë telefonike, kryetari i Shtipit, Zahariev tha se nuk e din se deri kur këto familje do të qëndrojnë aty. Ai shtoi se për t’i ndihmuar, komuna ua paguan shpenzimet për ujë dhe energji elektrike. Por Zahariev bën apel deri te Ministria për Punë dhe Politikë Sociale që të merr masa që këtyre familjeve tu siguroj vendbanim.

Përgatiti: Arbana Qerimi

0

Gjuha shqipe është pjesë e prioriteteve të qeverisë, dhe për këtë u debatua edhe sot mes komisarit për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Hahn, dhe kryeministrit, Zoran Zaev. Kryeministri Zaev tha gjuha është mjet komunikimi, dhe avancimi ligjor i përdorimit është i rëndësishëm.

“Në lidhje me pyetjen për avancimin e përdorimin e gjuhëve… Ajo është pjesë e prioriteteve, të cilat janë pjesë e agjendës për të cilën edhe sot biseduam. E dini që një nga pikët shumë të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit është edhe avancimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve. Në bazë të gjitha procedurave, kur gjithçka të jetë gati, unë jam përkrahës i idesë që kjo çështje të debatohet hapur dhe të sillet vendim. E dini që qëndrimi ynë për këtë çështje është shumë i qartë! Për ne gjuha është mjet për tu marur veshë”, tha Zaev.

Zaev tha se sot është harmonizuar dokument pune i cili përfshin reformat urgjente që kërkohen nga Komisioni Evropian, kurse pret që në vjeshtë, Komisioni Evropian të jep raport pozitiv për përparimin e shtetit dhe të propozoj që të hiqet rekomandimi i kushtëzuar.  Kryeministri tha se qeveria po punon në planin e reformave, i cili do të duhej të jetë gati deri më 1 korrik, kurse do të përfshijë reforma në gjyqësore, pavarësinë dhe profesionalizimin e institucioneve, media të pavarura dhe reforma tjera për të cilat partitë janë marrë vesh me Marrëveshjen e Përzhinës.  Zaev i bëri thirrje edhe opozitës që të përfshihet në mënyrë aktive në procesin e reformave. Zëvendëskryeministri për integrime, Bujar Osmani, i bëri thirrje komisarit evropian, që mos të merret parasysh ajo që ka ndodhur në të kaluarën. Ai siguroi se ambienti politik ka ndryshuar, dhe se qeveria është e koncentruar në të ardhmen. Osmani bëri thirrje që të shfrytëzohet momenti i kryesimit me Bashkimin Evropian nga vendet e rajonit, që deri në fund të vitit, rekomandimi të jetë i pakushtëzuar.
Nga ana tjetër, komisari Hahn, përshëndeti kontaktet e para të qeverisë me Athinën dhe Sofjen. Ai gjithashtu vlerëson lartë vullnetin e pozitës që të bashkëpunojë me opozitën për reformat, kurse theksoi se reformat nuk bëhet për të kënaqur ambiciet e ndonjë përfaqësuesi të lartë të Bashkimit Evropian, por për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

“Të gjithë aktorët, përfshirë këtu edhe opozitën, edhe gjyqësorin dhe të gjitha institucionet tjera relevante duhet të punojnë që të krijojnë një shoqëri moderne e cila do të funksionoj dhe shtet i cili do të punojë për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre”, tha Hahn.

Hahn tha se debati duhet të bëhet brenda institucioneve, kurse paralajmëroi se që nga nesër, ekipe të eksperteve do të arrijnë në vend, për të ndihmuar qeverinë në hartimin e planit për reformat. Përveç me përfaqësuesit e qeverisë, Hahn do të takohet edhe me përfaqësuesit e partive parlamentare.

Përgatiti: Furkan Saliu

0

Deri në fillim të korrikut do ta publikojmë planin aksionar “udhërrëfyes” qëllimi i të cilit është që deri në vjeshtë të hiqet rekomandimi me kusht për fillim të negociatave me BE, deklaroi kryeministri Zoran Zaev pas takimit me eurokomisarin Han.

Han nga ana tjetër  vlerësoi se është i gëzuar që qeveria e re është përkushtuar ndaj reformave. Mes tjerash eurokomisari Han theksoi se BE është e përgatitur që ta përkrahë Maqedoninë, në aplikimin e reformave urgjente dhe kthimit të saj në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.